Aktualitet
Flamingot/ Artan Fuga: Protesta e papritur i theu mitin Edi Ramës se kishte në kontroll gjithçka
Ekspertët e komunikimit e shpjegojnë sjelljen e Ramës ndaj protestës maratonë me manualin e njohur të propagandës, që synon shmangien nga faktet dhe delegjitimimin e aktorëve të protestës.
Sipas pedagogut të Shkencave të Komunikimit, Artan Fuga, kjo nuk është një zgjedhje e rastësishme.
“Kryeministri dhe çdo qeveri apo çdo pushtet në raste krizash sociale dhe tensionesh politike, siç janë protestat, është i detyruar të komunikojë dhe komunikon në dy dimensione: dimensioni politik, racional, ku hyn në përmbajtje të çështjes me argumenta dhe dialog dhe dimensioni i marrëdhënieve publike dhe mjeteve të propagandës, jo të mbështetura në përmbajtje dhe dialog,” shpjegoi Fuga, duke theksuar se Rama zgjodhi këtë të dytën.
Fuga i shpjegon arsyet e kësaj strategjie komunikimi me situatën e paparashikueshme, kulturën politike dhe nevojën e kryeministrit për të mohuar fakte që janë të dukshme.
“Protesta e papritur i theu mitin që ai kishte në kontroll gjithçka dhe kur diçka vjen e papritur, e e ke shumë më lehtë të përdorësh teknikën e propagandës, sepse çdo racionalizim e justifikon tjetrin,” theksoi ai.
Sipas profesor Fugës, kryeministri përdori të paktën tre elementë teknikë të propagandës që synonin zhvendosjen e vëmendjes nga thelbi i protestës; elementë që ai i përmbledh në mohimin e realitetit; karikaturizimin e protestës dhe reduktimin e saj – siç e quan ai “pelikanizimin”.
Propaganda gjithashtu u përdor si mënyrë për të mohuar faktet.
“S’mund të thuash s’ka projekt kur atje kanë filluar punimet…,”shton më tej Fuga.
Ndërsa pretendimet për përdorimin e ‘komploteve’ të jashtme e të brendshme lidhen, sipas profesor Fugës, me tentativën për të kërkuar mbështetje ndërkombëtare.
“Duke thënë pra se nëse në botë ka ekstremizma kundër Izraelit, apo kundër botës së financave, kjo po më ndodh mua sot. Dhe ai u viktimizua, e kërkoi si aleancë sikur po goditet familja Trump,” theksoi ai.