Bota
Franca në flakë, Macron në jet ski! Kritika presidentit për foton: Vera e fundit në timon
Presidenti francez Emmanuel Macron është përfshirë në një debat të ri politik, pasi fotografitë e tij duke drejtuar një jet ski gjatë pushimeve në rivierën franceze shkaktuan reagime të forta nga opozita.
Macron u fotografua me jelek shpëtimi në ujërat pranë Fort de Brégançon, rezidenca presidenciale ku ai po kalon pushimet verore. Fotografia u publikua në kopertinën e revistës Paris Match, së bashku me imazhe të presidentit duke praktikuar sporte ujore.
Pamjet kanë shkaktuar kritika, veçanërisht nga opozita e majtë, në një kohë kur Franca po përballet me temperatura të larta, thatësirë dhe zjarre të mëdha.
Kryetarja e të Gjelbërve, Marine Tondelier, e cilësoi këtë një “verë apokaliptike” për francezët, ndërsa akuzoi presidentin se po shijon pushimet në një kohë kur vendi po përballet me pasoja të rënda të motit ekstrem.
Edhe lideri socialist Olivier Faure e kritikoi Macronin, duke thënë se presidenti po dërgon mesazhin e gabuar te qytetarët. Sipas tij, ndërsa Franca po përballet me zjarre dhe temperatura ekstreme, shumë francezë nuk kanë mundësi të përballojnë pushimet.
Kritika pati edhe nga senatori komunist Pierre Ouzoulias, i cili tha se do të kishte preferuar ta shihte Macronin pranë zjarrfikësve dhe jo duke drejtuar një jet ski.
Nga ana tjetër, rrethi i presidentit ka mbrojtur pushimet e tij, duke theksuar se Macron vazhdon të punojë edhe gjatë qëndrimit në rezidencën presidenciale. Paris Match raportoi se atje është ngritur një zyrë dhe presidenti kalon një pjesë të madhe të ditës në telefon, ndërsa rutina e tij përfshin edhe vrapin dhe boksin.
Debati vjen gjithashtu në vitin e fundit të mandatit të dytë dhe të fundit të Macronit në Presidencën franceze.