✦
Thinking ...
Connect with us

Bota

Franca në protestë, qindra shkolla bllokohen dhe sektori publik del në grevë

Franca është përfshirë të martën nga një valë protestash dhe grevash, me nxënës të shkollave të mesme që kanë bllokuar hyrjet e qindra institucioneve arsimore dhe me punonjës të sektorit publik që kanë dalë në grevë kundër masave të parashikuara në projektbuxhetin e vitit 2027. Mobilizimi zhvillohet dy ditë para paraqitjes së projektbuxhetit në Parlament.

Sipas Ministrisë franceze të Arsimit, më shumë se 330 shkolla të mesme janë prekur nga protestat. Nxënësit kanë ngritur shqetësime për mbipopullimin e klasave, mungesën e mësuesve dhe kushtet e arsimit. Në disa raste protestat kanë shoqëruar edhe me incidente. Në Lille u dogjën disa kontenierë mbeturinash pranë një shkolle, ndërsa në zonën e Parisit pati ndërhyrje të policisë dhe arrestime.

Në Paris, në disa institucione hyrjet u bllokuan me kontenierë dhe pankarta që shprehnin kundërshtimin ndaj politikave të qeverisë dhe kërkesën për më shumë burime për arsimin. Protestat e nxënësve janë përhapur nga rajoni i Parisit edhe në zona të tjera të vendit.

Krahas nxënësve, në grevë janë përfshirë edhe punonjës të sektorit publik, mes tyre mësues, punonjës të shëndetësisë dhe zjarrfikës. Sindikatat kundërshtojnë planin buxhetor dhe kërkojnë rritje të pagave dhe më shumë financim për shërbimet publike. Për 29 shtatorin ishin parashikuar më shumë se 170 protesta në të gjithë Francën.

Një nga masat e propozuara nga qeveria është ngrirja e pikës së indeksit të pagave të punonjësve publikë në vitin 2027, me synimin për të kursyer rreth 2 miliardë euro. Kryeministri Sébastien Lecornu ka paraqitur një objektiv prej rreth 54 miliardë eurosh kursime në kuadër të projektbuxhetit të vitit të ardhshëm.

Sindikata CGT ka paralajmëruar vijimin e mobilizimit nëse qeveria nuk ndryshon qëndrimin e saj për shkurtimet e planifikuara. Ndërkohë, kryeministri Lecornu ka deklaruar se shqetësimet në arsim duhet të dëgjohen dhe të trajtohen, por ka kundërshtuar përshkallëzimin e protestave dhe incidentet e dhunshme pranë shkollave.

Greva ka prekur edhe sektorin e transportit ajror, me autoritetet franceze që kanë paralajmëruar për anulime dhe ndërprerje të fluturimeve në disa aeroporte.

Advertisement