Connect with us

Sport

Fundi i një epoke? Manchester City përgatitet për largimin e Pep Guardiolës

Manchester City duket se po përgatitet për fundin e një prej periudhave më të suksesshme në historinë e klubit. Sipas raportimeve të BBC Sport, brenda kampit të “Cityzens” ekziston bindja se Pep Guardiola mund të largohet nga pankina e skuadrës pas ndeshjes së fundit të sezonit në Premier League kundër Aston Villas.

Edhe pse zyrtarisht Manchester City vijon të insistojë se tekniku spanjoll ka kontratë të vlefshme edhe për një vit tjetër, sinjalet brenda klubit flasin për nisjen e përgatitjeve për një epokë të re në “Etihad Stadium”.

Burime pranë klubit bëjnë me dije se drejtuesit e Cityt kanë nisur të mendojnë për tranzicionin pas Guardiolës, ndërsa edhe një pjesë e futbollistëve besohet se presin që trajneri 55-vjeçar të largohet në fund të këtij sezoni.

Paralelisht, klubi po diskuton edhe mënyrën se si do të nderojë trajnerin që konsiderohet gjerësisht si më i madhi në historinë e Manchester Cityt.

Guardiola mori drejtimin e skuadrës në vitin 2016 dhe që prej asaj kohe ka transformuar klubin në një superfuqi të futbollit europian. Në 10 vite në pankinën e Cityt, ai ka fituar plot 20 trofe, mes tyre gjashtë tituj të Premier League, një UEFA Champions League, tre FA Cup dhe pesë EFL Cup.

Madje, aventura e tij mund të mbyllet edhe me një tjetër titull kampion, pasi Manchester City vazhdon garën për trofeun e Premier League deri në javën e fundit.

Ndërkohë, emri që po qarkullon më fort për ta pasuar Guardiolën është ai i Enzo Marescas, ish-ndihmësit të tij te Manchester City dhe ish-trajnerit të Chelseat. Italiani shihet si profili ideal për të vijuar filozofinë e ndërtuar nga Guardiola në klub.

Prej muajsh spekulimet për të ardhmen e teknikut spanjoll kanë qenë të vazhdueshme, megjithatë vetë Guardiola ka mohuar largimin në deklaratat e tij publike.

“Jam këtu, kam kontratë”, deklaroi ai së fundmi për BBC Sport, pak para finales së FA Cup.

Megjithatë, pavarësisht deklaratave zyrtare, atmosfera në Manchester City duket se po shkon drejt mbylljes së një cikli historik që ndryshoi përgjithmonë identitetin dhe dimensionin e klubit anglez.

Advertisement