Sport
Gasperini jep 10 milionë euro për shqiptarin/ Mario Mitaj drejt Romës në Seria A
Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare mund të bëhet pjesë e verdhekuqve për sezonin e ardhshëm, me Romën që raportohet se është gati të investojë 10 milionë euro për kartonin e tij.
Sipas raportimeve të mediave italiane, Mario Mitaj është shumë pranë një transferimi te Roma gjatë merkatos së verës. Mbrojtësi i majtë i Kombëtares shqiptare shihet si një nga objektivat kryesorë të klubit kryeqytetas për forcimin e repartit mbrojtës.
Burimet pranë klubit bëjnë të ditur se trajneri Xhian Piero Gasperini po insiston që marrëveshja të përfundojë sa më shpejt. Roma raportohet se është e gatshme të paguajë rreth 10 milionë euro tek Al-Itihad, klub që zotëron aktualisht kartonin e futbollistit shqiptar.
Nëse transferimi realizohet, Mitaj do të ketë mundësinë të luajë në Champions League sezonin e ardhshëm, pasi Roma ka siguruar pjesëmarrjen në kompeticionin më prestigjioz për klube në Evropë. Ky do të ishte një hap i rëndësishëm në karrierën e 22-vjeçarit dhe një mundësi e madhe për t’u afirmuar në skenën më të lartë të futbollit evropian.
Mario Mitaj konsiderohet një nga talentet më premtues të futbollit shqiptar. Sipas të dhënave të platformës “Transfermarkt”, vlera e tij në treg arrin në 5.5 milionë euro. Me fanelën e Kombëtares shqiptare, ai ka regjistruar deri më tani 30 ndeshje.
Para transferimit tek Al Iihad, Mitaj ka qenë pjesë e AEK-ut të Athinës dhe Lokomotivës së Moskës, duke ndërtuar një eksperiencë të konsiderueshme në futbollin europian pavarësisht moshës së re.