Shkrime
Gënjeshtrat greke për Zvërnecin, media e Athinës vë në pikëpyetje historinë shqiptare
Zvërneci duket se po krijon një përplasje të re mes Athinës dhe Tiranës zyrtare, ndërsa Greqia po shfrytëzon në maksimum situatën e krijuar, duke përdorur shkeljen e të drejtave të minoritetit dhe cënimin e pronave të pretenduara.
I gjithë sulmi i dirigjuar nga Athina prej të shtunës, kur edhe ndodhi përplasja në Zvërnec, po trajtohet si grabitje e pronave të minoritarëve grekë, ndërsa në thelb duket se shqetësimi që ka Greqia ka të bëjë me investimin në Zvërnec, që sipas deklaratave publike të Kryeministrit Edi Rama mund të arrijë në 4.5 miliardë euro.
Athina zyrtare dhe më pas mediat greke kanë shfrytëzuar nga momenti i parë incidentin e ndodhur në Zvërnec mes një qytetari protestues dhe disa civilëve, që paraqiten si roje sigurie në një kompani private, duke krijuar deri diku një tymnajë që në fakt duket se lidhet drejtpërsëdrejti jo me ndonjë cënim të drejtash, por me shqetësimin që krijohet nga projekti miliardash që nëse realizohet, mund të konkurojë drejtpërsëdrejti turizmin elitar në të gjitha Rajonin, përfshi edhe Greqinë.
Madje debatit që po ushqehet në Greqi i është bashkuar edhe Fredi Bejleri, sot me statusin e eurodeputetit grek të Parlamentin Europian.
Në një artikull të fundit të medias greke, madje ngrihen pretendime që jo vetëm Zvërneci është në pronësi të qytetarëve grekë, por edhe Sazani i takon Greqisë.
Media greke shkruan se projekti në Zvërnec parashikon zhvillimin e një resorti ultra-luksoz në një zonë të mbrojtur, me një investim që tejkalon një miliard euro dhe që autoritetet e kanë cilësuar si “investim strategjik”.
Dhe këtu mediat greke duket se kalojnë çdo kufi të imagjinatës duke pretenduar se edhe pse fshati ka emër sllav, ai pretendohet se banohet nga grekë, ashtu si edhe Arta (Narta) në veri të Vlorës.
“Të dyja zonat përshkruhen si enklava greqishtfolëse prej qindra vitesh”, vijon artikulli, ku theksohet se “në Zvërnec, shumica e banorëve janë të krishterë ortodoksë. Pranë fshatit ndodhet një manastir bizantin kushtuar Hyjlindëses Mari, ndërsa në jugperëndim gjendet edhe kisha e Shën Athanasit”.
Madje për mediat greke, dialekti i Zvërnecit, sipas informacionit të cituar nga Wikipedia në artikull, klasifikohet ndër variantet veriore të gjuhës greke.
“Ashtu si dialekti i Nartës, ai ka pësuar ndikime nga gjuha shqipe për shkak të bashkëjetesës së gjatë. Në Zvërnec flitet gjithashtu edhe gjuha vllahe që prej mesit të shekullit XIX. Folësit e saj thuhet se e kanë prejardhjen nga Voskopoja historike. Artikulli thekson se Voskopoja ishte një qytet me mbi 50 mijë banorë pranë Korçës, i cili u shkatërrua gjatë trazirave të shekullit XVIII dhe më vonë nga Ali Pashë Tepelena”, thekson artikulli.
Dhe në kuadrin e “hapjes së thesit”, në artikullin e medias greke thuhet se ishulli i Sazanit, më i madh i Shqipërisë, ka kaluar nëpër duar të ndryshme gjatë historisë së tij.
“Ai ka qenë nën sundimin venecian, më pas osman, ndërsa në vitin 1864 kaloi nën administrimin grek së bashku me Ishujt Jonianë. Greqia më vonë ia kaloi ishullin Shqipërisë pas presionit italian, ndërsa Italia e përdori për nevoja ushtarake. Gjatë Luftës së Ftohtë, Sazani mbeti bazë e rëndësishme ushtarake për marinën sovjetike dhe atë shqiptare. Sot, pas dekadash rëndësie strategjike ushtarake, ishulli po merr një rëndësi të re për shkak të turizmit. Ivanka Trump dhe Jared Kushner planifikojnë të investojnë më shumë se një miliard euro në zhvillimin e tij”, thuhet në artikull.