Connect with us

Politike

Shfuqizim i masës së sigurisë/ Gjykata Kushtetuese shqyrton kërkesën e Berishës

Ditën e sotme vijon seanca maratonë në Gjykatën Kushtetuese teksa diskutohet çështja e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berishës. Seanca nisi ditën e djeshme ku nisi shqyrtimi i kërkesës së Berishës për të shfuqizuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, por pas disa orësh u shty. Lidhur me këtë çështje, bëhet me dije se seanca zhvillohet pa palët, ndërsa janë gjyqtarët ata të cilët po shqyrtojnë materialet shkresore.

Në kërkesën e tij, Berisha pretendon shfuqizimin e vendimeve të Gjykatës së Posaçme, Gjykatës së Posaçme të Apelit dhe Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Ai tha se masat e SPAK janë antikushtetuese dhe të paligjshme, pasi duke qenë deputet duhej të merrej autorizimi në Kuvend.
Shfuqizimin e vendimeve nr. 112, datë 20.10.2023 dhe nr. 117, datë 26.10.2023, të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 56 (87-2023-156), datë 21.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; nr. 00-2024-384, datë 05.03.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë”,” thuhej në kërkesën e tij.

Lideri i opozitës ndodhet në arrest shtëpie që prej datës 30 dhjetor 2023. Berisha është marrë i pandehur lidhur me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani. Ai akuzohet për veprën penale “korrupsion pasiv kryer në bashkëpunim”.

Advertisement