Connect with us

Bota

Goditet rrjeti i madh i trafikut mes Spanjës dhe Algjerisë, 78 të arrestuar dhe mbi 2 mijë emigrantë të kontrabanduar

Një operacion i gjerë ndërkombëtar ka çuar në goditjen e një prej rrjeteve më të mëdha kriminale që vepronte në Mesdheun Perëndimor, duke kombinuar kontrabandimin e emigrantëve me trafikun e drogës dhe armëve mes Spanjës dhe Algjerisë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Europol, në kuadër të operacionit janë arrestuar 78 persona, 77 prej tyre në Spanjë dhe një në Algjeri. Mes të arrestuarve ndodhen edhe katër persona të konsideruar nga hetuesit si drejtues të dyshuar të organizatës.

Operacioni ishte rezultat i një hetimi të nisur që në vitin 2023 dhe përfshiu Policinë Kombëtare dhe Gardën Civile spanjolle, si edhe autoritetet ligjzbatuese të Francës, Portugalisë dhe Polonisë, me koordinimin dhe mbështetjen e Europol.

Mbi 2 mijë emigrantë dhe 24 milionë euro fitime

Hetuesit dyshojnë se organizata është përgjegjëse për të paktën 64 operacione të kontrabandimit të emigrantëve drejt territorit spanjoll.

Nëpërmjet këtyre udhëtimeve, sipas autoriteteve, më shumë se 2 mijë persona janë futur në mënyrë të paligjshme në Spanjë, ndërsa të ardhurat e realizuara nga rrjeti vlerësohen në mbi 24 milionë euro.

Organizata kishte ngritur një strukturë të mirëorganizuar logjistike, e cila siguronte magazinimin, transportin, furnizimin me karburant, mirëmbajtjen e mjeteve lundruese dhe masa për shmangien e kontrolleve policore.

Droga drejt Algjerisë, emigrantët drejt Spanjës

Një nga elementët më të veçantë të skemës ishte përdorimi i së njëjtës linjë detare në të dy drejtimet.

Sipas hetimeve, mjetet lundruese përdoreshin për transportimin e drogës nga Spanja drejt Algjerisë, ndërsa gjatë kthimit drejt brigjeve spanjolle transportoheshin emigrantë.

Destinacionet përfshinin zona të ndryshme të bregdetit spanjoll, ndërsa organizata përdorte edhe mjete lundruese me shpejtësi të lartë, të projektuara për të vështirësuar identifikimin dhe ndërhyrjen e autoriteteve.

Europol e ka përshkruar strukturën si një organizatë që në shumë drejtime funksiononte si një kompani logjistike kriminale, duke ofruar shërbime edhe për grupe të tjera të përfshira në trafik.

Sekuestrohen 18 mjete lundruese

Gjatë operacionit të zhvilluar më 16 qershor, autoritetet sekuestruan 18 mjete lundruese, përfshirë skafe me shpejtësi të lartë, si dhe lëndë narkotike, telefona satelitorë, një armë zjarri dhe më shumë se 25 mijë euro para cash.

Autoritetet spanjolle kanë deklaruar gjithashtu se grupi dyshohet se përdorte metoda të dhunshme për të mbrojtur mjetet e tij dhe për t’iu shmangur ndërhyrjeve të forcave të rendit.

Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu pretendime për keqtrajtim dhe abuzim ndaj disa prej emigrantëve gjatë veprimtarisë së organizatës.

Goditja e rrjetit konsiderohet një nga operacionet më të rëndësishme të viteve të fundit kundër strukturave kriminale që shfrytëzojnë korridorin detar mes Afrikës së Veriut dhe Evropës për trafikimin e emigrantëve dhe mallrave të paligjshme.

Advertisement