✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

GODITJA E MADHE E BRUKSELIT: ASNJE SHTET I VETEM NUK MUND TA BLLOKOJE SHQIPERINE

Një ndryshim i rëndësishëm në mënyrën se si zhvillohet procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian mund t’i hapë rrugë më të shpejtë Shqipërisë drejt anëtarësimit.

Komisioni Europian ka propozuar ndryshimin e rregullave të vendimmarrjes gjatë negociatave, duke synuar që një shtet i vetëm anëtar të mos ketë më mundësinë të bllokojë disa prej hapave të ndërmjetëm të procesit të integrimit.

Në strategjinë e re për përgatitjen e një BE-je më të madhe, Komisioni propozon që vendime si hapja e grup-kapitujve të negociatave të mund të miratohen me shumicë të cilësuar, dhe jo domosdoshmërisht me unanimitetin e të gjitha vendeve anëtare.

Unanimiteti do të ruhej për vendimet më të rëndësishme, veçanërisht për përfundimin e negociatave dhe anëtarësimin përfundimtar të një vendi në Bashkimin Europian.

Në praktikë, propozimi do të kufizonte fuqinë e vetos gjatë fazave të ndërmjetme të negociatave. Pra, një shtet i vetëm nuk do të mund të ndalonte përparimin e Shqipërisë nëse shumica e vendeve të tjera do të ishin dakord me hapin e radhës.

Propozimi merr një rëndësi të veçantë për Shqipërinë, pasi Komisioni Europian e rendit vendin së bashku me Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën ndër kandidatët më të avancuar në procesin e zgjerimit.

Për këto katër vende parashikohet edhe hartimi i “roadmap”-eve orientuese, ku do të përcaktohen prioritetet, hapat e ardhshëm, afatet dhe objektivat që duhet të përmbushen.

Megjithatë, Komisioni thekson se këto dokumente nuk do të caktojnë një datë automatike anëtarësimi. Ritmi i procesit do të vazhdojë të varet nga reformat dhe përmbushja e kushteve nga secili vend kandidat.

Në thelb, Brukseli kërkon të shmangë një prej problemeve më të debatueshme të zgjerimit: mundësinë që një vend i vetëm të përdorë veton për të bllokuar një proces të mbështetur nga pjesa tjetër e Unionit.

Komisioni argumenton se një Bashkim Europian me më shumë vende anëtare ka nevojë edhe për një mekanizëm më efikas vendimmarrjeje.

Për këtë arsye, strategjia e re propozon një përdorim më të gjerë të votimit me shumicë të cilësuar në fusha ku traktatet europiane e lejojnë.

Nëse reforma do të miratohet, Shqipëria do të përfitonte nga një proces negociatash më pak të ekspozuar ndaj bllokimeve individuale. Por përfundimi i rrugës drejt BE-së do të mbetet i lidhur me reformat, përmbushjen e kushteve dhe, në fazën finale, vendimet unanime të vendeve anëtare.

Advertisement