Kosova
Goditje nga ish-bashkëpunëtori/ Ish deputeti i LVV kallëzon Kurtin për shkelje të rënda
Një zhvillim i papritur ka tronditur politikën në Kosovë, pasi ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka bërë të ditur se ka dorëzuar një kallëzim penal ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe zyrtarëve të tjerë pranë Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Lajmin e ka bërë publik vetë Abazi përmes një postimi në rrjetet sociale, ku deklaron se kallëzimi lidhet me pretendime për tre vepra penale.
Sipas dokumentit të publikuar prej tij, kallëzimi penal lidhet me pretendimet për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, “pengim të funksionimit të institucioneve kushtetuese” dhe “mosekzekutim të vendimeve gjyqësore”.
Në kallëzimin e tij, Abazi pretendon se Albin Kurti, duke ushtruar njëkohësisht detyrën e kryeministrit në detyrë dhe mandatin e deputetit, ka refuzuar të përmbushë detyrimet kushtetuese që lidhen me konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Ish-deputeti e ka cilësuar kallëzimin si një hap të ndërmarrë përballë asaj që ai e konsideron shkelje të detyrimeve ligjore dhe kushtetuese. Tashmë pritet që organet e drejtësisë në Kosovë të shqyrtojnë pretendimet e ngritura dhe të përcaktojnë nëse ka bazë për nisjen apo vijimin e procedurave hetimore.
Kallëzimi i Abazit vjen në një moment të tensionuar politik në Kosovë dhe rikthen në vëmendje përplasjet e tij të mëparshme me drejtimin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtin.
Pretendimet e bëra në kallëzimin penal nuk përbëjnë fajësi të provuar dhe për çdo person vlen prezumimi i pafajësisë deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.