Kosova
Gogoli i pushtetit/ Serbia jeton pa qira në mendjen e pushtetarëve në Kosovë
Një ditë pas deklaratës së kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, rreth humbjes së ndikimit politik dhe ekonomik të Serbisë në Kosovë, analisti kosovar, Agon Maliqi, ka vlerësuar se ndikimi më i madh që Serbia ka në Kosovë është kryesisht psikologjik, duke vlerësuar se ajo “jeton pa qira në mendjen e pushtetarëve” në Kosovë.
Maliqi ka argumentuar se megjithëse Serbia ka provuar herë pas here të destabilizojë vendin, veprimet e saj janë neutralizuar nga aleatët e NATO-s dhe shërbimet e sigurisë në Kosovë. Pradaj, sipas tij, ajo para së gjithash shërben si “gogol i pushtetit” për frikësimin e elektoratit, disiplinimin dhe trajtimin e kritikës ndaj tij si anti-shtet.
“Pas vitit 1999, Kosova është larguar prej Serbisë me shpejtësi të dritës, përveç disa varësive ekonomike të trashëguara, që filluan të adresohen gradualisht nga qeveritë e kaluara me ndërtim të infrastrukturës së re lidhëse me vendet e tjera të rajonit, por jo edhe me kapacitete të reja prodhuese energjetike […] Ndikimin më të madh në Kosovë, Serbia e ushtron pa bërë asgjë, por thjesht duke jetuar pa qira në mendjen e pushtetarëve tanë dhe duke projektuar fuqi përmes retorikës së tyre”, ka shkruar ai.
Veprimet e Serbisë kanë shkaktuar tensione në të kaluarën, që kanë kulmuar në dhunë, ndërsa vazhdon të ushtrojë presion në veriun e Kosovës përmes strukturave paralele, duke krijuar pasiguri dhe duke penguar progresin në dialogun për normalizim.
Ndryshe, partitë politike që në legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë, posaçërisht Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë akuzuar ekzekutivin se nga kontratat e importit të energjisë ka përfituar biznesmeni serb, Vuk Hamoviç, djali i ish-shefit të armatës jugosllave, Rade Hamoviç, i cili prej vitesh kontrollon tregun rajonal të energjisë.