Connect with us

Rajon

GPS i fshehur në dorezë kirurgjikale dhe 5 telefona në “airplane mode”, detaje nga vrasja e mafiozit grek “Thamnakia”

Një pajisje GPS e fshehur brenda një doreze kirurgjikale, të cilën e mbante një nga personat e përfshirë në vrasjen e mafiozit grek Giorgos Moschouris, ndodhet në “lupën” e autoriteteve greke, pasi dyshohet se aty mund të gjenden prova të reja, madje edhe informacione për objektiva të tjerë që organizata kriminale kishte në plan të godiste.

Ajo që ka bërë përshtypje është fakti se i arrestuari mbante me vete, në momentin e arrestimit, pesë telefona celularë në “airplane mode” dhe dy routerë portativë.

Në këtë mënyrë ai shmangte lënien e gjurmëve dhe e bënte të pamundur lokalizimin e sinjalit të telefonave celularë. Ndërkohë, pajisja GPS ishte fshehur brenda një doreze kirurgjikale, me qëllim që të mos kishte mbi të gjurmë gishtash apo ADN.

Në të njëjtën kohë, një nga bisedat e përgjuara të njërit prej të akuzuarve në çështjen e organizatës kriminale konsiderohet veçanërisht zbuluese. Ai dyshohet se ka qenë i përfshirë të paktën në një sulm të bandës ndaj një biznesi.

“Po, jam vrasës dhe hajdut, kam bërë çdo të keqe”, thuhet se deklaroi ai gjatë bisedës.

Autoritetet e kishin vendosur prej kohësh nën vëzhgim dhe monitoronin edhe komunikimet e tij telefonike. Në një nga këto biseda, ai i përshkruante një gruaje mënyrën se si kishte sulmuar një burrë tjetër me të cilin kishte mosmarrëveshje ekonomike.

Sipas hetuesve, u desh më shumë se një vit analizë videosh dhe materialesh të mbledhura nga oficerët e “FBI-së greke”, për të arritur në provat që çuan në arrestimin e grupit që vrau Giorgos Moschouris, i njohur edhe me nofkën “Thamnakia”, në zonën e Halandrit.

Policia ka arritur të rindërtojë itinerarin e ndjekur nga grupi mbështetës dhe ka dalë në përfundimin se ekzekutorët kishin ardhur nga jashtë vendit. Ky grup i shoqëroi deri në vendin e ekzekutimit dhe më pas, pasi dogjën automjetet e përdorura në vrasje, u zhduk sërish jashtë shtetit.

Kujtojmë se Policia greke ka arrestuar katër persona të dyshuar për përfshirje në vrasjen e  “Thamnakia”, dy prej tyre janë shtetas me origjinë shqiptare, të identifikuar si Dhionis Kokoni dhe një person me mbiemrin Jupe, si dhe dy shtetas grekë, Dhimitris Aleksopoulos dhe Aleksandros Petropoulos.

Autoritetet kanë identifikuar për herë të parë njërin prej automjeteve të autorëve në orën 11:41 të ditës së ekzekutimit.

Pak më vonë, në Haidari, konkretisht në orën 13:04, automjeti i autorëve mbërrin në rrugën anësore të Kifisos, në drejtim të Pireut. Më pas, automjeti lëviz drejt Egaleos. Makina drejtohej nga një person me xhaketë të zezë me vija të bardha në mëngë, ndërsa pasagjerë kishte edhe në sediljen pas bashkëshoferit.

Automjeti regjistrohet në orën 13:44 në zonën e Aspropirgos dhe pak më vonë ndjek itinerarin e kundërt. Në atë moment, drejtuesi kishte ndërruar veshjen dhe kishte mbuluar tiparet e fytyrës, shkruan CNN.gr.

Në orën 13:47, dy automjete “operative” të ekzekutorëve regjistrohen duke kaluar në pikën e pagesës së Metamorfosis, pasi ndaluan për pak metra para saj.

Pamjet tregojnë drejtuesin e njërës makinë duke iu afruar shoferit të automjetit të dytë. Menjëherë më pas, të dy automjetet kalojnë traun e pagesës duke paguar me para cash, për të mos lënë gjurmë përmes kartave bankare.

Sipas autoriteteve, në automjetin e dytë “operativ”, drejtuesi mbante një xhup gri me mëngë të zeza dhe kapuç, si edhe një kapele. Në krah të tij ndodhej një person me xhaketë të zezë me vija të bardha në mëngë, e ngjashme me atë të shoferit të identifikuar në automjetin e parë.

Mbërritja në vendin e ekzekutimit

Sipas mediave greke, është zbuluar se në orën 14:00, dy automjetet mbërrijnë në Halandri, në vendin ku u ekzekutua “Thamnakia”. Rreth 15 minuta më vonë, ato regjistrohen duke lëvizur përreth skenës së krimit dhe duke kaluar pranë klinikës private ku ndodhi sulmi.

Në orën 14:21, nga njëri automjet del drejtuesi, i cili afrohet për disa sekonda te shoferi i makinës tjetër dhe më pas kthehet në automjetin e tij. Ai mbante një xhaketë me kapuç, maskë kirurgjikale dhe kapele të bardhë.

Autoritetet kanë rindërtuar me detaje të plota lëvizjet e automjeteve dhe të ekzekutorëve menjëherë pas vrasjes, deri në pikën ku dogjën makinën dhe më pas u zhdukën.

Hetuesit kishin zbuluar gjithashtu se ekzekutorët kishin përdorur edhe një taksi. Ata identifikuan shoferin, i cili deklaroi se kujtonte një nga personat t’i kishte thënë se vinte nga Gjeorgjia ose nga një vend pranë Rusisë. Sipas dëshmisë së tij, ai fliste shumë mirë greqisht dhe shoferi përshkroi edhe veshjen që mbante.

Advertisement