Aktualitet
GRABITJE SI NË FILMA/ Autori i maskuar i merr 15 mijë euro të moshuarës, arratiset me monopatinë
Një grabitje është regjistruar paraditen e sotme në një degë të bankës “OTP” në Tiranë, ku një person i maskuar ka arritur të marrë një shumë të konsiderueshme parash. Sipas informacioneve paraprake, autori ka ndjekur një grua të moshuar që ishte drejtuar drejt bankës për të depozituar para.
Pasi ka hyrë në ambientet e institucionit financiar, grabitësi e ka kërcënuar të moshuarën me një mjet që dyshohet se i ngjante një arme dhe i ka marrë shumën që ajo do të dorëzonte në arkë. Burimet bëjnë me dije se vlera e parave të grabitura është rreth 15 mijë euro.
Pas kryerjes së grabitjes, autori është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes duke përdorur një monopatinë. Policia ka ngritur pika kontrolli në zona të ndryshme të kryeqytetit dhe po vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit.