Aktualitet
Granit Xhaka i futet aktrimit përkrah legjendës Terence Hill, protagonisti i një filmi Western
Pak para nisjes së Kupës së Botës, kompania zvicerane “Denner” ka surprizuar tifozët me një projekt të veçantë filmik. Bëhet fjalë për “Socceritos”, një film i shkurtër në stilin Western, ku protagonistë janë kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, sulmuesi Zeki Amdouni, modelja dhe futbollistja Ana Maria Markovic, si dhe legjenda e kinemasë Terence Hill.
Në film, dy yjet e Kombëtares zvicerane udhëtojnë nëpër Perëndimin e Egër së bashku me mikun historik të Bud Spencer-it, duke luftuar kundër një ndalimi absurd për të luajtur futboll në një qytet të vogël.
Xhirimet janë zhvilluar gjatë katër ditëve në Spanjë, në një nga skenat klasike të filmave Western, aty ku më parë janë realizuar edhe produksione të famshme me Terence Hill.
Projekti është drejtuar nga regjisori dhe skenaristi zviceran Reto Salimbeni.
Mes batutash, mesfushori me origjinë shqiptare shtoi se është mësuar të jetë vazhdimisht para kamerave, por jo të mësojë skenarë përmendësh: “Në intervista nuk më duhet kurrë të mësoj tekstin”, tha ai me humor.

