Bota
Grenell nën hetim/ Dyshohet se premtoi takime me Trampin në këmbim të parave
Riçard Grenell, ish-i dërguari special i presidentit Tramp dhe emër i njohur në Shqipëri e Kosovë, është nën hetim nga vetë Shtëpia e Bardhë.
Ai dyshohet se i ka premtuar një biznesmeni turk takime me presidentin dhe zyrtarë të lartë në këmbim të parave.
Për çfarë dyshohet
Akuza vjen nga një biznesmen turk me interesa në Venezuelë dhe Afrikë. Sipërmarrësi pretendon se, në vitin 2025, me kërkesë të Grenellit, u transferuan rreth 17,6 milionë dollarë te një kompani private amerikane. Pjesa më e madhe e shumës do të shkonte për një marrëveshje biznesi me Kongon.
Rreth 6 milionë dollarë do të ishin dhurim për Qendrën Kenedi, institucionin kulturor kryesor të Uashingtonit, i cili në atë kohë drejtohej nga Grenell.
Në shkëmbim të këtij dhurimi, biznesmenit iu premtua akses në aktivitetet VIP të qendrës, si dhe akses te zyrtarët e lartë amerikanë dhe te vetë presidenti Tramp.
Prova kryesore është një mesazh telefonik që mendohet se i është dërguar sipërmarrësit turk nga Grenell. Në të, atij i premtohej se, pasi paratë të mbërrinin, do t’i sigurohej afërsi me zyrtarë të lartë, “madje edhe me presidentin”.
Problemi është se dhurimi për Qendrën Kenedi nuk është arkëtuar në llogaritë e qendrës. Ndërsa është fakt se sipërmarrësi turk ka përfituar për muaj të tërë trajtimin e veçantë që u rezervohet donatorëve të rëndësishëm. Madje, të paktën në një rast, ai ka qenë ulur në një nga lozhat pranë asaj ku ishte ulur presidenti Tramp.
Hetimi duhet të sqarojë nëse marrëveshja ka ekzistuar vërtet, dhe nëse po, ku përfunduan paratë.
Grenell i mohon të gjitha akuzat. Ai thotë se nuk e ka dërguar mesazhin, se nuk ka marrë asnjë qindarkë dhe se akuzat janë “gënjeshtra”.
Si po hetohet
Rasti shpërtheu kur gruaja e biznesmenit, e cila është ish-avokatja personale e Trampit, e akuzoi Grenellin tek Tramp se ai kishte vjedhur paratë e dhuruara nga i shoqi.
Tramp urdhëroi menjëherë hetimin e çështjes. Zyra ligjore e Shtëpisë së Bardhë po verifikon nëse mesazhi është autentik dhe nëse paratë janë depozituar në Qendrën Kenedi.
Historia ka një sërë pikash të errëta që ngrenë dyshime edhe mbi akuzuesit, pasi në raste të ndryshme janë deklaruar shuma të ndryshme dhurimi. Gjithashtu, dyshohet se paratë nuk janë dërguar nga paratë e vetë biznesmenit, por nga qeveria e Kongos, për të cilën sipërmarrësi turk ka punuar si këshilltar.
Brenda Shtëpisë së Bardhë pranojnë se rasti duket i dyshimtë dhe se presidenti ka kërkuar të mësojë të vërtetë.
Lidhjet me shqiptarët
Pas largimit nga posti diplomatik me mbarimin e mandatit të parë të Trampit, Grenell u bë ndërmjetës për një biznesmen shqiptar që hapi aktivitet në SHBA, edhe pse ky fakt nuk është bërë publik.
Grenell mendihet, gjithashtu, se ka qenë personi që propozoi fillimisht dhe ndërmjetësoi për bizneset e dhëndrit të Trampit, Xhared Kushner, në Serbi dhe Shqipëri, përfshirë projektet në Sazan dhe Zvërnec.
Sa i përket Kosovës, Grenell ka qenë prej shumë vitesh kundërshtari më i ashpër i Albin Kurtit në Uashington. Ai e ka akuzuar vazhdimisht Kurtin si “partner të pabesueshëm” për Amerikën dhe ka ndërhyrë hapur kundër tij para zgjedhjeve në Kosovë.
Grenell është zyrtari i tretë amerikan me lidhje me Shqipërinë që përfundon nën hetim në SHBA. Para tij ishin ish-drejtuesi i lartë i FBI-së, Mekgonigëll, dhe ish-ambasadorja në Athinë, Gilfojëll, e cila hetohet nga Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Shtetit. Mes të tjerash, hetohen lidhjet e saj me një kompani greke energjie e ndërtimi, të cilën ajo e ndihmoi të sigurojë një marrëveshje gazi me Shqipërinë.
Hetimi sapo ka nisur dhe Grenell nuk është akuzuar zyrtarisht. Por për shqiptarët, emri i tij lidhet tashmë me pyetjen se si afërsia me pushtetin amerikan kthehet në biznes.