Connect with us

Aktualitet

Kali i Trojës në rrugën e Shqipërisë drejt BE?/ Mitsotakis lëshon paralajmërimin e fortë

Një sinjal i fortë vjen nga Athina për Tiranën.

Greqia paralajmëron se mund të përdorë peshën e saj në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, nëse nuk sheh progres të mjaftueshëm për të drejtat e minoritetit grek dhe regjistrimin e pronave.

Paralajmërimi është bërë nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, gjatë konferencës për shtyp në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Selanikut.

Mitsotakis tha se Athina mbështet perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, por theksoi se çdo vend kandidat vlerësohet individualisht.

Sipas tij, vendet anëtare kanë rol në hapjen dhe mbylljen e kapitujve të negociatave.

Duke folur konkretisht për Shqipërinë, kryeministri grek deklaroi se progresi në regjistrimin e pronave dhe mbrojtjen e të drejtave të minoritetit grek nuk është i mjaftueshëm.

“Në momentin e duhur, do të ushtrojmë të drejtat tona”, deklaroi Mitsotakis, duke lënë të hapur mundësinë që Athina ta përdorë këtë çështje në procesin e negociatave të Shqipërisë me BE-në.

Kryeministri grek e bëri edhe më të qartë pozicionin e Athinës, duke thënë se çështja e minoritetit nuk konsiderohet vetëm një problem dypalësh mes Greqisë dhe Shqipërisë.

Sipas Mitsotakis, bëhet fjalë për një çështje që lidhet me të drejtën evropiane dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave.

Deklarata e Athinës vjen në një moment të rëndësishëm për rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe rikthen në qendër të vëmendjes marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës.

Ndërkohë, duke folur edhe për Maqedoninë e Veriut, Mitsotakis tha se ky vend ndodhet në një fazë më të hershme të procesit të integrimit dhe se nuk ka pasur progres thelbësor në negociatat evropiane.

Advertisement