✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Gryka e Gërrnetës!

Nga Arian Galdini

Mokja, Filozofi me Helmetë, ia ndërroi emrin një koncepti tim.
Unë e quaja Gryka e Ngushtë e Djajve.
Ai e pagëzoi Gryka e Gërrnetës.
Ia pranoj.
Madje dyshoj se e ka emërtuar më saktë se unë, sepse emri im tregonte ngushtimin, ndërsa i tiji nxjerr në pah atë që topografia nuk ta tregon, çfarë mund të të kërkohet për të kaluar.
Akuza ime nuk është se Shqipëria njeh korrupsion, klientelizëm, patronazh, nepotizëm, oligarki, taraf, fuksëri, përdorim politik, kapje financiare apo abuzim seksual.
Të gjitha këto kanë historinë, teknikën dhe viktimat e tyre.
Po flas për diçka më të gjerë se secila prej tyre dhe më të rrezikshme se shuma e tyre, kapjen e rrugës që e kthen vlerën e njeriut në mundësi.
Njeriu mund të dijë, të prodhojë, të shpikë, të krijojë, të punojë me ndershmëri, mund të ketë zanat, pronë, talent, disiplinë, kapital, ambicie, një ide të shkëlqyer ose një jetë pune pas vetes.
E gjithë kjo mund të jetë e vërtetë dhe prapë të mos mjaftojë.
Sepse, nëse midis asaj që njeriu vlen dhe asaj që mund të bëhet futet një ndërmjetës që pretendon pjesën e vetë, dikush nuk po kontrollon më vetëm një konkurs, një emërim apo një kontratë.
Po kontrollon kalimin nga zotësia te jeta.
Merita vazhdon të ekzistojë, por nuk është më e mjaftueshme.
Duhet të përshkojë një territor që nuk e zotëron.
Dhe aty e pret pyetja e Grykës:
“Kujt duhet t’i vlejë ajo që vlen tek ti?”
Këtu nis sistemi.
Shoqëria e mbyllur nuk njihet medoemos nga drynat.
Mund të organizojë zgjedhje, të shpallë konkurse, të hapë universitete, të regjistrojë kompani, të financojë projekte, të japë diploma, të licencojë televizione dhe të shkruajë ligje që, po t’i lexosh larg jetës, ngjajnë me inventarin e një Republike moderne.
Mbyllja mund të fillojë më poshtë se ligji.
Artisti niset nga vepra, pedagogu nga studimi, sipërmarrësi nga produkti, mjeku nga profesioni, nëpunësi nga konkursi, gazetari nga fjala, politikani nga gara.
Secili duket se ka rrugën e vetë.
Pastaj, diku përpara mbërritjes, del telefonata.
Del dorëzani. Del patroni.
Del njeriu që “e rregullon”.
Dhe Republika e formularëve, procedurave e kritereve zbulon se paska harruar vetëm një rubrikë:
“Kush të çon?”
Kur fusha që s’kanë arsye institucionale të varen nga njëra-tjetra fillojnë të përdorin të njëjtën gjuhë të ndërmjetësimit informal, shumëllojshmëria e institucioneve mund të mbetet thjesht fasadë.
Këtë e quaj Sistemi i Mbyllur i Mundësive.
Nuk kërkon një komitet sekret që cakton çdo fat shqiptar.
As një dorë të vetme mbi gjithçka.
Duart mund të jenë të shumta.
Logjika mjafton të jetë e njëjtë, mund të kalosh, por dikush duhet të fitojë mbi ty, duhet të të “përdorë ty” e nxjerrë diçka për e mbi kalimin tënd.
Ky është ndryshimi midis favorizimit dhe pronësisë informale mbi mundësinë.
Pikërisht këtu “gërrneta” bëhet më shumë se batutë.
Është emri grotesk i tarifës.
Tarifa nuk paguhet gjithmonë me para. Mund të marrë formën e poshtërimit seksual, të nënshtrimit politik, të varësisë financiare, të një firme që të implikon, të emrit tënd të përdorur për të larë një zullum, të fjalës tënde publike të vënë në shërbim të diçkaje që privatisht nuk e beson.
Një herë preket trupi.
Një herë tjetër ndërgjegjja.
Diku mjafton vota, gjetkë duhet reputacioni, autoriteti profesional ose firma e njeriut të respektuar që i jep një fytyrë të pastër punës së pistë.
Format ndryshojnë sepse nevojat e pushtetit ndryshojnë.
Pretendimi mbi njeriun mbetet.
Të hapet një rrugë, por rruga lë mbi ty një shenjë pronësie.
Sepse ai që të ndihmoi nuk dëshiron medoemos vetëm mirënjohjen.
Dëshiron që mirënjohja të mund të kthehet, kur t’i duhet, në përdorshmëri.
Favori bëhet faturë.
Dhe fatura nuk ka pse të arkëtohet aty ku u krijua.
Një vend pune mund të prodhojë bindje elektorale shumë më vonë.
Një kontratë ekonomike mund të kthehet në vetëpërmbajtje publike.
Promovimi kulturor mund të shlyhet me “gërrnetë” a firmë.
Sekreti personal mund të bëhet vegël presioni në një funksion shtetëror.
Financimi mund ta ndjekë përfituesin deri te vendimi që ai merr për njerëz të tjerë.
Kështu lind një biografi e dytë.
Jo ajo që shkruhet në CV.
Biografia e detyrimeve.
Ajo s’ka vulë, këst mujor apo afat shlyerjeje.
Pikërisht për këtë mund të jetë më e fuqishme se një kontratë, debitori nuk di kur do t’i vijë fatura, por e di se kreditori ekziston.
Komandën duhet ta japësh përsëri.
Borxhin mjafton ta kujtosh.
Njeriu që e di kujt i detyrohet fillon t’ia parashikojë dëshirën përpara se t’i vijë kërkesa.
Borxhi e kursen urdhrin.
Aty pushteti fiton një nga format e tij më të sofistikuara, njeriu nis ta ruajë vetë kufirin që tjetri ka vendosur mbi të.
Për këtë arsye, zhurma rreth materialeve intime, privatësisë, trupave dhe krevateve mund të na mbajë te pjesa më e cekët e problemit.
Dinjiteti dhe privatësia duhen mbrojtur.
Materiali intim nuk bëhet pronë e turmës vetëm sepse rreth tij ka interes politik.
Por erotika nuk është domosdoshmërisht skandali politik.
Elita Lakuriq bëhet interesante kur i bie kostumi i meritës, jo thjesht rrobat.
Kur pas autoritetit shfaqet detyrimi, pas reputacionit, kreditori, pas një karriere që dukej e pavarur, historia e njerëzve që mund të pretendojnë një pjesë të përdorimit të saj.
Atëherë çështja nuk është kush ka fjetur me kë.
Çështja është nëse trupi, sekreti, paraja, posti, afrimiteti, kontrata, fama apo kompromisi mund të funksionojnë si monedha të një ekonomie paralele ku blihet jo vetëm hyrja, por edhe një pjesë e së ardhmes së atij që hyri.
Nëse kjo ndodh, lakuriqësia politike është tjetërkund.
Lakuriq është sistemi.
Historia shqiptare i jep kësaj pyetjeje një thellësi që nuk mund të anashkalohet.
Shqipëria komuniste ishte një diktaturë represive dhe e centralizuar, e dominuar nga partia, me kontroll të gjerë mbi jetën politike, ekonomike dhe shoqërore.
Shqipëria e sotme nuk është ai sistem.
Barazimi i tyre do të ishte i pavërtetë dhe intelektualisht dembel.
Por rrëzimi i regjimit nuk garanton se bashkë me të zhduken të gjitha mënyrat me të cilat një shoqëri ka mësuar ta kuptojë pushtetin, lejen dhe avancimin.
Dikur leja ishte e centralizuar.
Partia, shteti, biografia dhe dosja përcaktonin kufijtë e së mundshmes.
Në pluralizëm, teknika ndryshon. Ndërmjetësimi mund të copëzohet mes zyrave, partive, mediave, interesave ekonomike, familjeve me ndikim, grupeve private dhe qindra njerëzve që, secili në cepin e vetë, mund të kontrollojnë një kalim.
Këtë nuk e quaj vazhdimësi të komunizmit.
E quaj Metamorfoza e Lejes.
Totalitarizmi i vjetër shtetëzoi mundësinë.
Rreziku i Grykës së Gërrnetës është që kalimi të privatizohet.
Nga “nuk lejohesh” kalohet te një fjali më moderne, më e padukshme dhe, për këtë arsye, më e vështirë për t’u denoncuar:
“Provoje pa ne.”
“A kalon dot pa ngrënë Gërrnetën?”
“A arrin dot diku, famë, sukses, karrierë, njohje, vlerësim, pa ngrënë më parë Gërrnetën?”
Dallimi mes këtyre dy botëve është kolosal.
Por pyetja që i lidh meriton të bëhet, a e kemi çrrënjosur bindjen se, për t’u bërë dikush, njeriu duhet më parë të marrë lejen e dikujt a më keq akoma, të “kalojë nëpër Gërrnetizimin e atyre që kontrollojnë Grykën”?
Institucionet demokratike shqiptare nuk mund të barazohen me diktaturën dhe zgjedhjet zhvillohen në konkurrencë reale.
Por as raportet ndërkombëtare nuk e përshkruajnë fushën si të çliruar nga pabarazitë e fuqisë.
Ato tregojnë diçka më modeste dhe shumë të rëndësishme, forma juridike dhe kushtet reale të ushtrimit të saj nuk janë domosdoshmërisht e njëjta gjë.
Akuza ime fillon pikërisht në atë hendek.
Dëmi ekonomik i këtij sistemi shkon shumë më thellë se grabitja.
Grabitja merr pasurinë që është krijuar.
Kapja e mundësisë ndryshon çfarë ia vlen të krijosh.
Nëse afërsia e gatishmëria për tu “gërrnetizuar” shpërblehet më shpejt se mjeshtëria, individi racional nis ta zhvendosë investimin nga aftësia te marrëdhënia.
Kur hyrja te vendimmarrësi jep kthim më të madh se përmirësimi i produktit, kapitali largohet nga laboratori dhe kërkon paradhomën.
Kur karriera shpërblen pranueshmërinë më fort se zotësinë, një pjesë e energjisë që mund të ndërtonte profesionistin harxhohet për të ndërtuar njeriun e pranueshëm për atë që ndan mundësitë.
Sistemi nuk korrupton vetëm një tender.
Ia ndryshon shoqërisë çmimin e dijes, të punës dhe të karakterit.
Dija kërkon vite, afërsia dhe “gërrnetizimi” mund të japë rezultat me një telefonatë.
Integriteti ka kthim të vonuar, përdorshmëria mund të shpërblehet menjëherë.
Puna ndërton vlerë ngadalë, patroni mund të hapë shpejt atë që vlera duhej ta fitonte.
Kjo diferencë është Taksa e Pavarësisë.
E paguan ai që refuzon të bëhet klient, e paguan ai apo ajo që refuzon “gërrnetën”, e paguan me mohim, ndalin, shpërfillje, tallje, mosnjohje, sfilitje, qesharakëzim, nënçmin, me karrierë të vonuar, kapital që nuk mbërrin, treg që humbet, ide që nuk provohen, energji që shterohet dhe, jo rrallë, me largimin nga vendi.
Kur autonomia bëhet sistematikisht më e shtrenjtë se vartësia, shoqëria fillon t’u japë njerëzve një mësim ekonomik shumë të keq, investimi te lidhja mund të jetë më racional se investimi te vetja.
Aty Gryka e Gërrnetës nuk po shpërndan më vetëm favore.
Po prodhon karaktere.
Fëmija dëgjon se duhet të mësojë, por sheh të rriturit të pyesin “kë njeh?”, “cilën gërrnetë duhet të kalosh?”
Studenti e kupton vlerën e diplomës, por sheh edhe shpejtësinë e kontaktit.
Krijuesi mëson të lexojë jo vetëm publikun, por gjeografinë e atyre që shpërndajnë skenën.
Profesionisti kupton se kompetenca është pasuri, por jo gjithmonë mbrojtje.
Dhe, dalëngadalë, ndryshon pyetja me të cilën njeriu hyn në jetë.
“Çfarë dua të bëhem?”
fillon t’i lërë vend:
“I kujt duhet të bëhem?”
“Cila është gërrneta që më mundëson kalimin nëpër Grykë, e të dal matanë?”
Këtu kemi kaluar përtej korrupsionit.
Sepse korrupsioni mund të vjedhë një tender.
Ky mekanizëm ndërhyn në autorësinë e njeriut mbi biografinë e vetë.
Njeriu fillon të mos projektojë vetëm aftësinë që duhet të fitojë, por marrëdhënien së cilës duhet t’i përkasë që aftësia e tij të funksionojë.
Dhe një sistem i sofistikuar nuk ka asnjë arsye ta shkatërrojë talentin.
Talenti është shumë i vlefshëm.
I duhet profesori që di, sipërmarrësi që prodhon, artisti që tërheq publik, juristi që argumenton, gazetari që gëzon besueshmëri, politikani që merr vota.
Por i duhet një kusht, aftësia të mos prodhojë pavarësi.
Kështu lind figura më karakteristike e Grykës, njeriu i aftë, por i hipotekuar, “i tredhur dhe i gërrnetizuar”.
Kompetenca e tij është reale, pikërisht për këtë është e dobishme.
Por nëse nuk mund ta përdorë atë kompetencë edhe kundër interesit të atij që kontrolloi hyrjen e tij, atëherë një pjesë e aftësisë nuk i përket më vetëm atij.
Merita ka fituar bashkëpronar.
Kjo është arsyeja pse Gryka nuk ka nevojë ta shkatërrojë meritën.
Mund të bëjë diçka më të zgjuar, ta privatizojë, ta gërrnetizojë.
Dhe kur kapet rruga e meritës, mund të kapen edhe virtytet.
Miqësia, besa, mirënjohja, familja dhe solidariteti nuk janë plagë shqiptare, shpesh kanë mbajtur njerëzit gjallë pikërisht kur institucioni ka munguar ose ka qenë armiqësor.
Problemi fillon kur institucioni dështon aq gjatë, sa marrëdhënia private merr përsipër funksione që s’duhet t’i takonin kurrë.
Miku, pa e kuptuar, bëhet administratë.
Mirënjohja zgjatet përtej kufirit të saj moral derisa ngjan me një kredi politike.
Besa, që duhej të mbronte dinjitetin e marrëdhënies, mund të thirret për të mbrojtur një padrejtësi.
Familja, nga strehë, kthehet në kanal qasjeje.
Dhe kështu kultura pëson një deformim më të hollë se humbja e virtyteve.
Virtytet nuk zhduken.
Rekrutohen.
Njeriu fillon të mos dijë saktë nëse po falënderon apo po shlyen, nëse po mban fjalën apo po mbron një padrejtësi, nëse po ndihmon mikun apo po trashëgon mekanizmin që nesër do t’i kërkojë të njëjtin mik edhe fëmijës së vetë.
Në këtë kuptim përdor fjalën tërësor.
Jo për të thënë marrëzinë se çdo shqiptar është i kapur, çdo kompani klienteliste, çdo artist i blerë dhe çdo sukses i rremë.
Një sistem bëhet tërësor kur e njëjta logjikë ka depërtuar në aq pika të rëndësishme sa njerëzit fillojnë ta fusin në llogaritë e tyre përpara se ta kenë ndeshur konkretisht.
Ata e presin ndërmjetësin.
E parashikojnë koston e kundërshtimit.
Ndërtojnë zgjedhje jete duke supozuar se rruga autonome do të jetë më e shtrenjtë.
Në atë fazë, pushteti nuk ka më nevojë të jetë kudo.
I mjafton të jetë bërë pritshmëri.
Kjo është fitorja e tij më e madhe, jo kur kontrollon çdo derë, por kur njerëzit e kanë futur derën brenda kokës së tyre.
Prandaj rotacioni, ndryshimi, zëvendësimi politik, vetvetiu, nuk është çlirim.
Nëse ikën portieri i tyre dhe vjen portieri ynë, nuk kemi liruar rrugën.
Thjesht kemi ndërruar turnin dhe kemi filluar të shpërndajmë numra të rinj telefoni e adresa të reja “gërrnete”.
Republika hapet vetëm kur vetë kalimi humbet pronarin.
Kur buka nuk mbahet peng nga bindja.
Kur prona nuk kërkon mbrojtës personal.
Kur biznesi konkurron për konsumatorin dhe jo për paradhomën.
Kur pedagogu nuk këmben dinjitet me karrierë.
Kur krijuesi mund të dështojë sepse vepra e tij nuk bind, jo sepse ai nuk iu përkul “gërrnetës” së njeriut të duhur.
Liria nuk provohet vetëm nga fakti se Kushtetuta të lejon të thuash “jo”.
Provohet nga ajo që të mbetet pasi e ke thënë.
Dhe këtu Gryka ka testin e saj më të pamëshirshëm:
A mund t’i thuash “jo” atij që të ofron kalimin dhe të vazhdosh të kesh një të ardhme?
Nëse refuzimi të mbyll profesionin, tregun, fjalën, bukën dhe të ardhmen, nuk kemi më thjesht një favor të refuzuar.
Kemi hyrë në territorin e sundimit.
Dhe vetëm tani ia vlen t’i kthehemi emrit.
Nuk më intereson inventari i krevateve të Republikës. Spektakli mund ta mbajë.
Akuza politike është shumë më e madhe:
A është bërë përdorshmëria tarifa e fshehtë me të cilën vlera njerëzore këmbehet për mundësi?
Nëse përgjigjja është po, skandali nuk është seksual.
Është skandal i qytetërimit që kemi ndërtuar.
Sepse një Republikë mund t’i japë qytetarit të drejtën dhe, njëkohësisht, të tolerojë që dikush tjetër t’i caktojë çmimin praktik të ushtrimit të saj.
Kushtetuta mund të shpallë barazinë, ndërsa jeta të kërkojë ndërmjetësin.
Tregu mund të ekzistojë, por qasja në të të negociohet jashtë tij.
Universiteti mund të vlerësojë dijen, ndërsa karriera të negociohet në një tryezë ku dija nuk është kriteri vendimtar.
Zgjedhjet mund të jenë reale, ndërsa disa nga rrugët që çojnë drejt ndikimit politik të kalojnë përmes fuqish që qytetari nuk i ka zgjedhur.
Kjo është doktrina ime dhe akuza e Grykës së Gërrnetës.
Totalitarizmi i vjetër i tregonte njeriut çfarë nuk mund të bëhej.
Gryka mund ta lejojë të bëhet gjithçka, me kusht që, rrugës, të bëhet i dikujt, të kalojë nëpër proçesin e “gërrnetizimit”.
Prandaj objekti nuk është vetëm korrupsioni.
Është shpronësimi i autorësisë mbi jetën.
Njeriu zotëron talentin, por dikush tjetër pretendon rrugën e tij.
Zotëron mendjen, por duhet të negociojë mundësinë e përdorimit të saj.
Zotëron emrin, por hyrja i lë pas një kreditor.
Është juridikisht i lirë dhe, megjithatë, mëson të sillet sikur liria e tij ka sponsor.
Një Republikë nuk humbet vetëm kur shfuqizohen të drejtat.
Mund të humbasë edhe kur të drejtat mbeten në letër, ndërsa rrugët që i bëjnë të jetueshme fitojnë pronarë informalë.
Kjo është më shumë se kapje shteti.
Është përpjekja për të kapur lidhjen mes njeriut dhe së ardhmes së vetë.
Dhe pikërisht për këtë nuk mjafton të zëvendësojmë pronarët.
Duhet të shkallmohet vetë ideja se kalimi mund të ketë pronar.
Që puna të gjejë punën pa dorëzanë.
Dija të gjejë përgjegjësinë pa oborr.
Vepra të mbërrijë te publiku pa kreditor.
Sipërmarrja të përballet me tregun dhe jo me pronarin e korridorit.
Ideja të arrijë qytetarin pa paguar doganë politike.
Dhe njeriu të mund të hyjë në të ardhmen e vet pa lënë peng një copë të vetes.
Sepse liria nuk humbet vetëm kur të mbyllet rruga.
Humbet edhe kur dikush tjetër zotëron kalimin.
Kur kjo pronësi bie, Gryka nuk ka më çfarë të bëjë.
Dhe vetëm atëherë gërrneta mund të mbetet ajo që s’duhej të kishte pushuar kurrë së qenuri, muzikë.
Arian Galdini
Advertisement