Aktualitet
Gushti kthehet në muajin e aksidenteve/ Brataj: Deri në 19 raste çdo ditë
Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, ka deklaruar se muaji gusht po shoqërohet me një rritje të ndjeshme të rasteve që kërkojnë ndërhyrje mjekësore, me temperaturat e larta dhe aksidentet rrugore që mbeten ndër shqetësimet kryesore.
Brataj tha se gjatë këtij muaji janë regjistruar deri në 18-19 aksidente në ditë, një shifër dukshëm më e lartë krahasuar me periudhat e tjera të vitit. Sipas tij, rritja lidhet edhe me shtimin e turistëve dhe të numrit të automjeteve në rrugët e vendit gjatë sezonit veror.
Kreu i Urgjencës Kombëtare bëri të ditur se numri i vizitave ditore është rritur gjithashtu. Sipas të dhënave të paraqitura prej tij, në vitin 2025 regjistroheshin rreth 337 vizita në ditë, ndërsa gjatë vitit 2026 kjo shifër ka arritur në rreth 399 vizita ditore. Në këtë total përfshihen aksidentet, virozat dhe problematika të tjera shëndetësore.
“Temperaturat e larta po na krijojnë mbingarkesë, na kanë shtuar punën me urgjencat”, u shpreh Brataj, duke apeluar për kujdes të shtuar, veçanërisht në qarkullimin rrugor.
Duke iu referuar aksidentit tragjik në Manzë të Durrësit, ku humbën jetën tre të rinj, Brataj tha se viktimat kanë pësuar dëmtime të rënda të organeve të brendshme dhe hemorragji të brendshme.
“Ajo që më shqetëson është se nëse kishim 10-11 në ditë, në gusht kemi 18-19 aksidente në ditë”, deklaroi Brataj, duke theksuar nevojën për respektimin e rregullave të qarkullimit dhe marrjen e masave për parandalimin e aksidenteve.
Sipas tij, shtimi i fluksit të turistëve dhe automjeteve gjatë muajit gusht e ka bërë situatën edhe më problematike, ndërsa raste të rënda me humbje jete janë regjistruar edhe në Maminas dhe në incidentin me skaf në Ksamil.