Kosova
Hapi strategjik/ Sinjal i fortë politik nga Amerika për pranimin e Kosovës në NATO
Kosova mori një shtytje të fortë politike në synimin e saj për t’u bërë pjesë e NATO-s, aleancës ushtarake që ndërhyri më 1999 për t’i dhënë fund luftës, pasi tre kongresistë amerikanë paraqitën javën e shkuar një rezolutë në mbështetje të aspiratës së saj të hershme.
Për Ivanа Stradnerin nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracisë në Uashington (FDD), rezoluta është “sinjal i fortë politik, pasi e afron Kosovën më pranë NATO-s në kuptimin strategjik”.
“Në letër, Kosova mund të mos jetë shumë më afër anëtarësimit, duke qenë se katër aleatë të NATO-s ende nuk e njohin, por ky është hap në drejtimin e duhur në një kohë kur gjendja e sigurisë në rajon po përkeqësohet” – deklaroi Stradner.
Kosova nuk ka bërë ende kërkesë formale për t’u anëtarësuar në NATO, pasi përballet me pengesa të mëdha, siç është mungesa e njohjes së saj nga katër vendet anëtare: Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.
Stradner vlerëson se nismat në Kongres, mund të mos jenë në gjendje t’i detyrojnë aleatët e NATO-s të ndryshojnë qëndrimet e tyre, por ato formësojnë mjedisin politik duke treguar se Uashingtoni e sheh Ballkanin si një çështje të papërfunduar strategjike dhe pret më shumë unitet brenda aleancës.
“Gjithashtu dërgon sinjal të qartë në debatin e brendshëm amerikan se nuk është koha për të kufizuar apo tërhequr angazhimet ushtarake amerikane nga aleanca në Ballkan, pavarësisht zërave të herëpashershëm në këtë drejtim. Një prani e qëndrueshme ushtarake e SHBA-së në Evropë mbetet thelbësore për parandalimin dhe stabilitetin afatgjatë”, theksoi Stradner