Connect with us

Kosova

Haradinaj: Kushdo që e ndihmon Kurtin për formimin e qeverisë është argat i Serbisë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka potencuar se kushdo që e ndihmon Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e qeverisë është “argat i Serbisë dhe i Rusisë”.

“Sa i përket qeverisë unë jam i bindur, kushdo që e ndihmon, pra Kurti III, është argat i Serbisë e Rusisë. Këtë nuk e ndryshoj. Është serioze”, ka thënë Haradinaj në një intervistë për RTV Dukagjini.

Duke folur për Nismën Socialdemokrate, me të cilën parti AAK-ja ishte në koalicion në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, dhe e cila u vetë ofrua për bashkëqeverisje LVV-së, Haradinaj ka vlerësuar se kjo temë është e mbyllur.

“Për mua është e kaluar. Nuk merrem me këtë pjesë më. E shkuar e kaluar, kaq”, ka shtuar ai.

Ndryshe si të pamundur e cilësoi kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdihxiku, një version ku partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë të bëhen bashkë për të formuar një qeveri të re.

Sipas vlerësimit të tij për një koalicion i tillë – LDK, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës –  nuk i ka numrat e nevojshme.

“Nuk ka shumicë politike, nuk ka numra as ky kombinim politik kështu, këtë e dimë e kemi diskutuar. LVV ka 48 deputetë dhe përveç asaj mban pranë vetes edhe disa deputet të komuniteteve jo shumicë që partitë e tjera nuk po janë të sinqerta”, tha ai në një intervistë në T7.

Megjithatë sipas Haradinajt një shumicë e vogël ekziston.

“Tani ne nuk i kemi një shumicë absolute të madhe, por një shumicë minimale e kemi. Ekziston shumica për qeverinë e opozitës”, tha Haradinaj, gjatë intervistës duke iu përgjigjur Abdihxikut.

Advertisement