✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

HARTA E RE TERRITORIALE/ RAMA: U ZBULUAN EDHE DUART E PISTA

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas miratimit në Kuvend të hartës së re administrativo-territoriale, duke e cilësuar atë një tjetër shtysë drejt modernizimit të Shqipërisë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë komentoi votimin që zgjati deri pas mesnate, si dhe debatet e kundërshtitë politike që shoqëruan procesin.

Rama nuk kurseu as mesazhet për kundërshtarët politikë, duke iu referuar asaj që i cilësoi si “duar të pista”, të dukshme dhe të padukshme, të cilat, sipas tij, janë zbuluar tashmë.

“Përtej të gjithë debateve të brendshme, spekulimeve të jashtme dhe peripecive të një kohe të ngatërruar nga gjithfarë duarsh të pista, ca të dukshme e ca të padukshme po jo të pazbuluara tanimë, votimi i mbrëmshëm në Kuvend i dha Shqipërisë një tjetër shtysë modernizuese”, shkruan kryeministri.

Më tej, Rama përcolli edhe një mesazh të drejtpërdrejtë politik, duke theksuar se rezultati i votimit u tregoi kundërshtarëve se nuk duhet të bëjnë “hesape pa hanxhinë” me Partinë Socialiste.

Reforma e re territoriale u miratua me 85 vota pro dhe parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46. Sipas mazhorancës, synimi është krijimi i njësive vendore më të mëdha, me kapacitete më të konsoliduara financiare dhe administrative, për të përmirësuar menaxhimin e territorit dhe ofrimin e shërbimeve publike.

Nga ana tjetër, opozita e ka kundërshtuar këtë model, duke propozuar krijimin e më shumë se 92 bashkive, me argumentin se pushteti vendor duhet të jetë më pranë qytetarëve dhe komuniteteve rurale.

Miratimi i reformës shënon një tjetër përballje politike mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të zbatohet harta e re dhe nëse ndryshimet do të sjellin përmirësime konkrete në shërbimet për qytetarët.

Advertisement