Connect with us

Kosova

Haziri, Kurtit: Ne mbajmë fjalën për president konsensual, ti formoje Kuvendin e Qeverinë

Përplasja politike në Kosovë vijon, këtë herë për konstituimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i është përgjigjur kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se LDK-ja e mban fjalën për një president konsensual, por sipas tij, fillimisht duhet të konstituohet Kuvendi dhe të formohet Qeveria.

Haziri ka reaguar pas deklaratave të Kurtit për qëndrimin e fundit të LDK-së, e cila ka njoftuar tërheqjen nga kërkesat për poste në institucionet e reja.

Sipas Hazirit, deklaratat e Kurtit kanë qenë kontradiktore.

Ai thotë se fillimisht Vetëvendosje akuzonte LDK-në se po kërkonte shumë poste, ndërsa tash, sipas tij, Kurti deklaron se i ka ofruar shumë LDK-së dhe kjo e fundit është tërhequr.

Haziri ka paralajmëruar se LDK-ja nuk do të heqë dorë nga qëndrimi i saj për një president konsensual, duke theksuar se partia e tij ka kaluar edhe procese të tjera të vështira politike.

Ndërkohë, Albin Kurti ka përsëritur se presidenti i ardhshëm i Kosovës duhet të jetë një figurë konsensuale, me mbështetje sa më të gjerë politike dhe qytetare.

Kurti tha se LDK-ja duhej të përfshihej në bashkëqeverisje dhe të arrihej një marrëveshje politike mes partive.

Ai ka bërë gjithashtu të ditur se ka ftuar sërish liderët e partive politike për të diskutuar rreth zgjedhjes së presidentit.

Sipas Kurtit, nuk duhet diskutuar vetëm për kriteret që duhet të plotësojë presidenti, por edhe për emrat konkretë, pasi, siç u shpreh ai, “po humbim shumë kohë”.

LDK-ja, nga ana tjetër, ka njoftuar se ka hequr dorë nga kërkesat për poste në Qeveri, Kuvend dhe Presidencë, me synimin për të shmangur një krizë të re institucionale.

Por pavarësisht këtij vendimi, mbetet e paqartë nëse partitë do të arrijnë një marrëveshje për konstituimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit.

Në Kosovë, beteja politike tashmë është zhvendosur te pyetja kryesore: a do të gjendet një marrëveshje për institucionet, apo vendi do të përballet me një tjetër ngërç politik?

Advertisement