Pas incidentit ku 56 studentë të Akademisë së Sigurisë shfaqën probleme shëndetësore pas konsumimit të drekës, administratori i institucionit, Milton Nushi, deklaroi se situata është nën kontroll dhe se po priten përgjigjet zyrtare nga analizat laboratorike.
Sipas tij, studentët që patën shqetësime fillimisht morën ndihmë në infermierinë e Akademisë dhe më pas u transportuan drejt QSUT-së për kontrolle të mëtejshme mjekësore. Ai theksoi se të gjithë ndodhen jashtë rrezikut dhe janë rikthyer në ambientet e shkollës.
Nushi tha se dyshimet e para lidhen me ushqimin e konsumuar gjatë drekës, ndërsa sqaroi se menjëherë pas ngjarjes janë njoftuar Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe institucionet e Shëndetit Publik, të cilat kanë marrë mostrat për ekzaminim. Administratori bëri me dije se ushqimi në Akademi furnizohet përmes shërbimit katering dhe se, sipas procedurave, ruhen mostra të vakteve për 24 orë për raste emergjente apo verifikimesh të tilla.
Ai shtoi se institucioni nuk kishte hasur më parë raste helmimi, ndërsa pranoi se kjo mund të jetë situata e parë e këtij lloji që regjistrohet në Akademinë e Sigurisë.
Sa i përket kompanisë furnizuese “Sori-Al”, Nushi sqaroi se kontrata aktuale është e re, por bashkëpunime të ngjashme kanë ekzistuar edhe më parë. Ai theksoi se janë marrë të gjitha masat e nevojshme dhe se aktiviteti në Akademi vijon normalisht. Gjithashtu, administratori sqaroi se ushqimi nuk përgatitet në ambientet e institucionit, por në kuzhinat e licencuara të kompanisë, e cila, sipas tij, ofron shërbime edhe për institucione të tjera.
