Connect with us

Bota

Hillbilly 2 po vjen/ Irani kërcënon SHBA-në: Do ta bëjmë armikun të pendohet

Kryenegociatori i Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka paralajmëruar se “lëvizjet e hapura dhe të fshehta” të SHBA-së tregojnë se administrata Trump po “kërkon një raund të ri lufte” kundër Iranit.

Në një mesazh audio të publikuar nga mediat shtetërore iraniane, Ghalibaf deklaroi se forcat ushtarake iraniane kanë shfrytëzuar periudhën e armëpushimit për të forcuar kapacitetet e tyre ushtarake.

“Njerëzit mund të jenë të sigurt se forcat tona ushtarake e kanë shfrytëzuar mundësinë e armëpushimit në mënyrën më të mirë për të rindërtuar forcën e tyre. Ne do ta bëjmë armikun të pendohet për çdo agresion të rinovuar kundër Iranit”, tha Mohammad Bagher Ghalibaf.

Deklaratat vijnë një ditë pasi Donald Trump pretendoi se ishte vetëm një orë larg urdhrit për sulme të reja ndaj Iranit, ndërsa zëvendëspresidenti JD Vance paralajmëroi se SHBA-të mund të ndërmarrin veprime ushtarake në mungesë të një marrëveshjeje paqeje.

Ghalibaf, i cili mban edhe postin e kryetarit të parlamentit iranian, foli gjithashtu për vështirësitë ekonomike në vend dhe rritjen e kostos së jetesës për qytetarët iranianë.

“Disa kritika ndaj qeverisë janë sikur nuk ka ndodhur asnjë luftë”, shtoi ai.

Në reagimet e tij të fundit, zyrtari iranian ka sulmuar drejtpërdrejt edhe JD Vance, duke iu referuar librit autobiografik “Hillbilly Elegy”, ku përshkruhen pasojat e luftërave amerikane në komunitetet e varfra të Apalaçeve.

“Hillbilly 2 po vjen”, shkroi Ghalibaf në X, duke thënë se “të varfrit dhe të harruarit” e Amerikës po paguanin faturën për luftën në Iran.

Advertisement