Connect with us

Politike

Himni shqiptar injorohet për herë të dytë në vizitën e Mickoskit, Rama i ashpër

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për aktivitetin kulturor të zhvilluar në Pustec, ku në prani të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, nuk u luajt Himni Kombëtar Shqiptar.

Rama e ka cilësuar atë që ndodhi në Pustec si një “parodi domethënëse” për dallimet në botëkuptimet mes vendeve të rajonit.

“Kryetari i Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, kërkoi paraprakisht që të luhej edhe himni shqiptar. U injorua dhe më pas kërkoi ndjesë për një faj që nuk ishte i tij. U tregua një shtetar dhe qytetar i denjë i Shqipërisë Europiane, në nder të vetes dhe të komunitetit të tij maqedonoverior, të cilit i duam vetëm më të mirën”, shkruan Rama.

Kryeministri thekson se Shqipëria i konsideron minoritetet pjesë të pasurisë kombëtare dhe se qytetarët minoritarë duhet të gëzojnë të njëjtat të drejta dhe liri si të gjithë qytetarët e tjerë.

Rama ka kritikuar atë që e cilëson si “cirk të nacional-folklorizmit ballkanik”, duke nënvizuar se Shqipëria nuk duhet të përfshihet në përplasje të tilla simbolike dhe nacionaliste.

“Shqipëria, Europa e Ballkanit, kurrsesi nuk mund t’ia lejojë dhe nuk do t’ia lejojë vetes ta zbresë monedhën e vlerave të saj në nivelet e parodisë së Pustecit”, shprehet kryeministri.

Ndërkohë, më herët ka reaguar edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila e ka cilësuar mosluajtjen e himnit shqiptar si një mungesë serioze respekti ndaj simboleve kombëtare dhe rregullave të protokollit institucional.

“Keqardhje që nuk u luajt himni kombëtar shqiptar. Simbolet kombëtare janë të shenjta dhe meritojnë respektin e duhur”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme.

Kjo është hera e dytë që gjatë një aktiviteti në Pustec, në prani të kryeministrit maqedonas, nuk respektohet protokolli për ekzekutimin e Himnit Kombëtar Shqiptar, duke shkaktuar reagime politike dhe institucionale në Tiranë.

Advertisement