Aktualitet
HIPOTEKA E DURRËSIT NË TËRMET/ 12 masa sigurie për ish-zyrtarë dhe përfitues pronash, në dosje edhe emra me histori procedimesh
Skandali i Hipotekës së Durrësit merr përmasa edhe më të rënda, pasi pas 12 masave të sigurisë të lëshuara nga Gjykata e Durrësit ndaj ish-funksionarëve dhe personave të dyshuar si përfitues pronash, në qendër të vëmendjes dalin edhe emra që nuk janë të panjohur për drejtësinë.
Hetimi, që mësohet se ka zgjatur rreth katër vite, ka zbuluar dyshime për një skemë të tjetërsimit të tokave shtetërore përmes falsifikimit të dokumenteve, mashtrimit, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.
Por ajo që e bën edhe më alarmante këtë dosje është fakti se mes personave ndaj të cilëve është caktuar masë sigurie është edhe Adrian Kona, ish-zv.drejtor në Kadastrën e Durrësit, i cili sipas burimeve dhe raportimeve të mëparshme rezulton të ketë pasur procedime penale dhe vendime të formës së prerë të lidhura me ushtrimin e detyrës në këtë institucion.
Këtu nis pyetja më e madhe: si ka mundësi që një person me një histori kaq të rëndë përballjesh me drejtësinë, pikërisht për çështje që lidhen me postin e tij në Kadastër, të jetë mbajtur në një pozicion kyç ku vendosej fati i pronave të qytetarëve dhe i tokave shtetërore?
Nëse dyshimet provohen, kjo nuk është më vetëm histori e disa zyrtarëve që kanë abuzuar me detyrën. Kjo është histori e një sistemi që ka lejuar që pronat të trajtohen si plaçkë, regjistrat si letër pa zot dhe qytetarët si viktima të një makinerie burokratike ku e drejta shpesh humb përballë vulës, firmës dhe lidhjeve.
Sipas të dhënave të bëra publike, pas inventarizimit të 1063 regjistrave hipotekorë në Kadastrën e Durrësit, vetëm 152 prej tyre mësohet se kanë rezultuar të rregullt. Në pjesën tjetër janë konstatuar faqe të zhdukura, të zëvendësuara, të dubluara apo të dëmtuara. Pra, nuk flitet për një gabim të thjeshtë administrativ, por për dyshime mbi ndërhyrje të gjera në dokumentacionin ku mbahet historia ligjore e pronës.
Masat e sigurisë përfshijnë arrest me burg, arrest në shtëpi dhe detyrim paraqitje. Ramazan Sheshi, Adrian Kona, Bledar Zerba dhe Rovin Zeqja janë lënë me arrest me burg, ndërsa ndaj personave të tjerë janë caktuar masa më të lehta sigurie.
Dosja ngre një tjetër pikëpyetje të rëndë: kush i kontrolloi këta zyrtarë? Kush i emëroi? Kush i mbajti në detyrë? Dhe pse institucionet kanë reaguar vetëm pasi dyshimet janë kthyer në një skemë të madhe hetimore?
Për qytetarët e Durrësit, kjo çështje nuk është thjesht një lajm kronike. Është një plagë e hapur. Sepse në Kadastrën e Durrësit, prej vitesh, qytetarë të shumtë ankohen për sorollatje, bllokime, zvarritje dhe pamundësi për të marrë shërbimin që u takon me ligj.
Ndërkohë, sipas hetimeve, në të njëjtin institucion ku qytetari i zakonshëm përplaset me muaj e vite, dyshohet se toka shtetërore mund të jetë tjetërsuar përmes dokumenteve të manipuluara dhe procedurave të dyshimta.
Aksioni për ekzekutimin e masave të sigurisë vijon, ndërsa pritet që Prokuroria dhe Policia të japin detaje të plota zyrtare për pronat konkrete që dyshohet se janë tjetërsuar dhe rolin e secilit person të përfshirë.
Deri në një vendim të formës së prerë, të gjithë personat konsiderohen të pafajshëm. Por kjo dosje ka hapur një debat që nuk mund të mbyllet vetëm me arrestime: a është Hipoteka e Durrësit një rast i izoluar, apo vetëm maja e ajsbergut e një sistemi ku prona publike dhe private ka qenë për vite me radhë në duart e skemave të errëta?