DOSSIER
Historia dhe kontributi i paçmuar i Varian Fry, gazetarit që shpëtoi 2000 artistë nga nazistët
Aspekte dhe detaje të një operacioni të panjohur për publikun e gjerë të Luftës së Dytë Botërore për të shpëtuar artistët, intelektualët dhe shkrimtarët nga nazistët, po dalin në dritë.
Protagonist ishte gazetari Varian Fry dhe ndikimi në historinë politike ishte i pallogaritshëm.
Gazetari amerikan Varian Fry, në shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore, doli vullnetarisht për të udhëtuar në portin francez të Marsejës për të ndihmuar në riatdhesimin e njerëzve të elitës kulturore që po persekutoheshin nga nazistët.
Marseja ishte porti i vetëm i lirë në Europë dhe një destinacion kyç për njerëzit që kërkonin dëshpërimisht strehim nga mizoritë naziste, raporton abcnews.al.
Siç raportohet nga BBC, Varian Fry mbërriti në Marsejë më 15 gusht 1940, dhe kishte një dokument me emrat e 200 artistëve, shkrimtarëve dhe intelektualëve që ishin futur në listën e zezë nga Gestapo dhe policia qeveritare e Vichy.
Një vit më vonë, kur më në fund u detyrua të largohej nga qyteti, ai kishte ndihmuar në shpëtimin e afro 2000 njerëzve, duke përfshirë figura të tilla ikonike si Marc Chagall, Marcel Duchamp, Remedios Varo, Max Ernst, Hannah Arendt, Jacques Lipsitz, Andre Breton dhe Vifredo Lahm.
Ai lindi në Nju Jork në vitin 1907 dhe u rrit në Nju Xhersi nga një familje protestante me vlera liberale. Ai ishte kryesisht një klasicist, por gjithashtu deklaroi se ishte i magjepsur nga intelektualët dhe sofistikimi i kulturës moderne. James Joyce dhe T.S. Eliot ishte një nga shkrimtarët e tij të preferuar.
Një udhëtim në Gjermani në vitin 1935 ishte vendimtar në perceptimin e tij politik dhe në karakterin e tij në përgjithësi. Ai ishte dëshmitar i dhunës së tmerrshme të banditëve nazistë, përleshjeve në rrugë, frikësimit dhe madje edhe vrasjes gjakftohtë të një burri nga një nazistnë një kafene, raporton abcnews.al.
Ai u informua për qëllimet e nazistëve për të spastruar të gjithë disidentët dhe për të shkatërruar popullatën hebre. Përvojat e neveritshme nxitën reagimin e Fry kundër nazizmit dhe asaj që ai mbronte.
Më 25 qershor 190, pas rënies së Francës nga nazistët, Fry u bë pjesë e një grupi prej 200 artistësh, gazetarësh dhe refugjatësh hebrenj. Anëtarët e këtij grupi u takuan në Hotel Commodore, në Nju Jork , ku lindi Komiteti i Emergjencave të Shpëtimit.
Qëllimi ishte të ndihmonte cilindo të dëbuar nga nazistët, përfshirë artistët, filozofët dhe shkrimtarët europianë. Fry u ofrua të drejtonte ekspeditën në Marsejë dhe u bë agjent i ERC.
Gazetari amerikan mbërriti në portin francez nëpërmjet Lisbonës dhe u vendos fillimisht në “Hôtel Splendide”, një hotel me pamje nga deti. Atje ai krijoi “qendrën e parë të operacioneve” duke filluar me krijimin e një rrjeti aleatësh që mund të ndihmonin në zhvillimin e planeve të arratisjes duke falsifikuar dokumente dhe duke shkëmbyer para në tregun e zi.
Aktiviteti i tij u bë i njohur në rrjetet nëntokësore të refugjatëve në Francë dhe shumë shpejt ai u cilësua si një figurë kyçe në arratisjen nga nazistët. Thuhet se ai merrte 25 letra në ditë, telefoni binte vazhdimisht dhe ai kreu 120 intervista në një ditë të zakonshme, raporton abcnews.al.
Por Fry-t iu desh të përballej me një problem tjetër të rëndësishëm. Krahas autoriteteve të qeverisë Vichy, që po e ndiqnin, gazetari u përball edhe me Departamentin Amerikan të Shtetit, i cili në atë kohë synonte të qëndronte jashtë luftës.
Puna e Fry u cilësua si e paligjshme dhe një kërcënim për neutralitetin amerikan. Në strehën e Fry-t, e cila më pas u transferua në një shtëpi të madhe në periferi të Marsejës, u prit një numër i madh artistësh. Gazetari amerikan, i udhëhequr nga idealet dhe bindjet e tij politike, ndihmoi çdo person që vinte nga minoritetet e persekutuara dhe që i rezistoi tmerrit të Hitlerit.
Numri i njerëzve që ai po ndihmonte shkaktoi probleme të brendshme. Por Fry nuk hoqi dorë.
“E vërteta është se më pëlqen ajo që bëj më shumë se çdo gjë që kam bërë ndonjëherë në jetën time,” i shkroi ai nënës së tij.
Gazetat e dhjetorit 1941 shkruanin se ardhja e artistëve në Nju Jork ishte “migrimi më i madh i intelektualëve që nga epoka bizantine”.
SHBA-të tani ishin bërë shtëpia e një brezi të artë të kulturës europiane. Por ndikimi kryesor, siç theksohet nga kritiku i artit Robert Hughes, sipas BBC, ishte se artistët amerikanë tani ishin në gjendje të kishin kontakte me figurat ikonike të artit europian që ishin frymëzimi i tyre.
Dhe vetëm prania e njerëzve si Bretoni, themeluesi i surrealizmit, kontribuoi në shfaqjen e Nju Jorkut si qendra e re kulturore e botës, duke marrë skeptrin nga Parisi.
Ai mbushi një brez artistësh amerikanë me besim të madh dhe u bë një magnet për artistë të mëdhenj ndërkombëtarë. Një grup intelektualësh shkuan në Meksikë si rezultat duke inkurajuar dhe transformuar vizionin artistik të një kombi të tërë, raporton abcnews.al.
Dhe ndërsa njerëzit që ai ndihmoi të shpëtonin shijuan një jetë të re, vetë Fry, sipas BBC, vuajti kur u kthye në SHBA. Përshtatja e tij me situatën politike të asaj kohe doli shumë e vështirë, jeta e tij familjare u shkatërrua, pasi u divorcua me gruan e tij.
Ai u refuzua nga ushtria amerikane. Puna e tij gjatë kohës së luftës u njoh shumë vite pas vdekjes së tij në vitin 1967.