Aktualitet
Historia shqiptare bëhet magnet për të huajt/ Mbi 824 mijë vizitorë në shtatë muaj
Trashëgimia kulturore shqiptare po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë. Mbi 824 mijë persona kanë vizituar monumentet, muzetë dhe parqet arkeologjike të vendit gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2026.
Shifrat për periudhën janar–korrik tregojnë një rritje prej 80% krahasuar me vitin 2023, ndërsa në raport me 2025-ën numri i vizitorëve është rritur me 6.3%.
Në krye të listës qëndron Kalaja e Gjirokastrës, me mbi 161 mijë vizitorë, e ndjekur nga Butrinti, me rreth 159 mijë.
Interes të lartë kanë regjistruar edhe Parku Arkeologjik i Shkodrës, Muzeu “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë, Apolonia dhe Muzeu Ikonografik “Onufri” në Berat.
Në total, numri i vizitorëve është rritur me 26.4% krahasuar me vitin 2024, duke treguar se monumentet, muzetë dhe sitet arkeologjike po marrin një peshë gjithnjë e më të madhe në ofertën turistike të Shqipërisë.
Nga Gjirokastra në Butrint, nga Kruja në Berat, historia shqiptare po kthehet në një magnet për turistët vendas dhe të huaj.