Kosova
Hitleri i Ballkanit/ Funerali i ‘kasapit’ Mlladiç, përplas Beogradin me Uashingtonin
Raportimet për mundësinë që ish-komandanti i Ushtrisë së Serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiç, të varroset në Serbi me nderime shtetërore kanë shkaktuar reagime të forta në Shtetet e Bashkuara.
Kongresmeni amerikan Joe Wilson ka kritikuar ashpër presidentin serb Aleksandar Vuçiç, duke e cilësuar të papranueshme çdo përpjekje për t’i dhënë Mlladiçit nderime zyrtare.
Në një reagim në platformën X, Wilson shkroi se një veprim i tillë do të ishte i krahasueshëm me dhënien e nderimeve shtetërore Adolf Hitlerit.
Reagimi vjen pas raportimeve se autoritetet serbe mund të përfshihen në organizimin e një ceremonie me nderime për Mlladiçin, i cili vdiq në Hagë në moshën 83-vjeçare.
Mlladiçi ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga mekanizmi gjyqësor i Kombeve të Bashkuara për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Ai u shpall përgjegjës, ndër të tjera, për rolin e tij në gjenocidin e Srebrenicës dhe rrethimin e Sarajevës gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se Serbia do të ndihmojë për një varrim dinjitoz nëse familja e Mlladiçit kërkon që ai të varroset në Serbi.
Megjithatë, Vuçiç nuk ka konfirmuar zyrtarisht se është marrë vendim për organizimin e një funerali shtetëror apo për dhënien e nderimeve zyrtare.
Çështja ka rikthyer në qendër të vëmendjes raportin e Serbisë me të kaluarën e luftërave të viteve ’90 dhe qëndrimin e saj ndaj personave të dënuar për krime lufte, në një kohë kur Beogradi synon avancimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.