Kosova
Hodhi gaz lotsjellës në kuvend, ministri i Kosovës shpallet fajtor, më 8 shtator pritet dënimi
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2018.
Gjykata ka bërë të ditur se masa e dënimit do të shpallet më 8 shtator, në seancën e radhës.
Çështja ndaj Sveçlës ishte veçuar nga procedura që zhvillohet ndaj ish-deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, Fitore Pacolli-Dalipi dhe Drita Millaku.
Ndërkohë, pak ditë më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte liruar nga akuza ish-kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, në lidhje me të njëjtin rast.
Ngjarjet lidhen me protestat e forta politike në Kuvendin e Kosovës, kur deputetët e atëhershëm të Vetëvendosjes përdorën gazin lotsjellës për të kundërshtuar marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi, përfshirë marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.
Hedhja e gazit lotsjellës në Kuvend ishte përsëritur në disa raste gjatë viteve 2015, 2016 dhe 2018, duke shkaktuar ndërprerje të seancave dhe përplasje të forta politike.
Tashmë, pas vendimit të Gjykatës, vëmendja zhvendoset te 8 shtatori, kur pritet të bëhet e ditur masa e dënimit për Xhelal Sveçlën.