Connect with us

Bota

Hormuzi/ Irani mbyll derën e paqes për Trumpin, gati operacionin ushtarak

Lindja e Mesme rrezikon të përfshihet sërish nga një valë e re përshkallëzimi. Irani ka paralajmëruar se forcat e tij të armatosura dhe aleatët e Teheranit po përgatiten për një ofensivë të gjerë, ndërsa negociatat me Shtetet e Bashkuara duket se kanë hyrë në ngërç.

Një zyrtar iranian, duke folur në kushte anonimiteti për Reuters, ka deklaruar se Teherani po përgatitet të përshkallëzojë veprimet në Ngushticën e Hormuzit dhe në rajonin më të gjerë të Lindjes së Mesme.

Sipas tij, nëse përpjekjet diplomatike dështojnë, Irani mund të ndërmarrë një operacion ushtarak me synimin për të thyer bllokadën detare amerikane ndaj porteve iraniane në Gjirin Persik.

Në qendër të krizës ndodhet Ngushtica e Hormuzit, një prej korridoreve më strategjike të tregtisë botërore, përmes së cilës kalon një pjesë e konsiderueshme e furnizimeve globale me naftë dhe gaz.

Tensionet janë shtuar edhe pas deklaratës së Presidentit amerikan Donald Trump se nuk do të ketë zgjatje të afatit 60-ditor të parashikuar në memorandumin e mirëkuptimit të arritur në qershor.

Marrëveshja synonte ndërprerjen e operacioneve ushtarake dhe hapjen e rrugës për një marrëveshje përfundimtare paqeje. Por negociatat janë përballur me pengesa të forta, veçanërisht për kontrollin e Ngushticës së Hormuzit.

Megjithatë, kanalet e komunikimit mes Uashingtonit dhe Teheranit nuk duket se janë mbyllur plotësisht. Raportimet amerikane flasin për kontakte të vazhdueshme dhe përpjekje për të mbajtur të hapur një kanal negociatash.

Në mes të kësaj krize është përfshirë edhe Omani, i cili ka luajtur rolin e ndërmjetësit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Presidenti Trump ka paralajmëruar se Uashingtoni nuk do të lejojë që Maskati të pengojë një marrëveshje amerikano-iraniane.

Deklaratat e tij kanë shtuar edhe më shumë tensionet në rajon.

Ndërkohë, Irani këmbëngul se është i gatshëm të veprojë ushtarakisht nëse nuk arrihet një zgjidhje diplomatike.

Kështu, përfundimi i afatit të armëpushimit e rikthen Lindjen e Mesme në një pikë kritike, ndërsa Ngushtica e Hormuzit rrezikon të shndërrohet në epiqendrën e përplasjes së radhës mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Advertisement