Aktualitet
Hoteli u përfshi nga flakët/ Policia jep detajet: Shkak shkëndija elektrike
Një zjarr i rënë në orët e para të mëngjesit në hotelin “Brooklyn”, në lagjen “10 Korriku” në Vlorë, ka lënë të lënduar gjashtë pushues. Pesë prej tyre janë shtetas të Kosovës, ndërsa një tjetër është nga Rrësheni.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, ngjarja është regjistruar rreth orës 04:05. Flakët kanë përfshirë ambientet e brendshme të hotelit, në pronësi të shtetases M.A., duke shkaktuar lëndime te pushuesit dhe dëme materiale.
Pesë nga të lënduarit janë transportuar për mjekim në Spitalin e Djegieve në Tiranë, ndërsa dy prej tyre kanë pësuar djegie të konsiderueshme trupore. Një person tjetër po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Vlorës.
Nga veprimet e para hetimore, përfshirë këqyrjen e kamerave të sigurisë, rezulton se zjarri ka qenë aksidental dhe dyshohet se është shkaktuar nga djegia e prizës elektrike të një frigoriferi që ndodhej në ambientet e restorantit të hotelit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.