Connect with us

Kosova

Humbasin shanset e mëdha, Kosova e Serbia rrezikojnë gjithçka

Normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës e Serbisë është një kusht thelbësor në rrugën evropiane të të dyja palëve, në të kundërtën të dyja vendet rrezikojnë të humbasin shanse të rëndësishme.

Kështu u shpreh zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero Hernandez.

Ajo theksoi se për të përfituar nga instrumenti i ri financiar i BE-së, Kosova dhe Serbia kanë si kusht shtesë, në krahasim me kushtet e përgjithshme që kanë vendet e tjera, normalizimin e marrëdhënieve.

Sipas vendimit të miratuar, në mënyrë që këto dy vende të përfitojnë nga Plani i Rritjes, ato duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive “me progres të matshëm dhe rezultate të prekshme” në normalizimin e marrëdhënieve të tyre, me qëllim zbatimin e plotë të të gjitha detyrimeve që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit dhe aneksi i zbatimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme për dialogun dhe t’i bashkohet negociatave për Marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

Ana Pisonero Hernandez deklaroi gjithashtu se Plani i Rritjes së BE-së prej 6 miliardë eurosh për gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor përfaqëson një ofertë gjithëpërfshirëse të BE-së për të përmirësuar gjendjen e tyre socio-ekonomike, duke theksuar se ky plan nuk është një alternativë ndaj zgjerimit të BE-së, por një ofertë që do të plotësojë dhe përshpejtojë procesin e anëtarësimit të vendeve që kanë aspirata për BE.

Advertisement