Connect with us

Aktualitet

I biri me autizëm, prefektja e Korçës rrëfen mungesën e mbështetjes për fëmijët si djali i saj

Pas kostumit te pushtetit fshihet zemra e një nëne që po rrit një djalë me çrregullime të spektrit të autizmit dhe një vajzë të vogël që kur flet për të, përlotet  edhe më shumë.

Florinda Zegullaj tregon në lot se te vajza e vogël që nuk di si t’ia shpjegojë gjen forcë.

“Motra nuk e kuptonte sjelljen e të vëllait dhe është e thuajse e pamundur t’i shpjegosh në mënyrë të qartë që vëllai është ndryshe dhe nuk e ndryshojmë dot sjelljen e tij. Janë prindërit që kërkojnë mbështetje dhe suport nga punonjësit sociale. Sot është 6 vjeç por është rritur në kushte të vështira, dita ime është e mbushur plot me episode. Më vjen keq për vajzën që është kthyer në mentoren dhe mbështetjen time më të madhe“-shprehet Florinda.

Por, autizmi nuk zgjedh dhe ndonjëherë dallgët të përplasin fort dhe kërkesa për mbështetje nuk resht.

“Djali është diagnostikuar që në moshën 2 vjeçare ka marrë terapi zhvillimi që atëherë. Sot frekuenton shkollën është në klasën e katërt. Mbështetet nga një mësuese e dedikuar për të, ka program individual. Problemi qëndron se programet individuale nuk janë të hartuara në përputhje me standardet ndërkombëtare”

Si çdo nënë që ka një fëmijë me çrregullime të spektrit e përpiqet me ç’të mundet , një brengë e madhe e shoqëron çdo ditë.

“Harrojmë që shumë shpejt këta fëmijë. Fëmijët ngelen të izoluar në muret e shtëpisë së prindërve. Nuk ka as shërbime, as mundësi punësimi. Në anën tjetër, unë e them gjithmonë çfarë do ndodhë me ta kur prindërit mos të jenë më. Besoj se kjo është ëndrra e trembur e të gjithëve”.

Nuk mungon në asnjë nga takimet me temë mbi çrregulimet e spektrit te autizmit, ku nënat nuk reshtin së kërkuari mbështetje nga institucionet, ndonëse edhe ajo e ka një post.

“Zoti më ka ndihmuar të emërohem prefekte e një qarku të rëndësishëm siç është qarku i Korçës. Lus Zotin të më krijohet mundësia të bëj gjithçka mundem për të gjithë fëmijët dhe familjet mbi të cilat rëndon kjo barrë”.

Florinda mban edhe një post sot dhe si prefekte ka plane për mbështetjen e fëmijëve me çrregullime te spektrit si biri i saj, por nuk i shpreh derisa të jenë të prekshme.

Advertisement