Aktualitet
I akuzuar për vrasjen e dy vëllezërve dhe një gruaje/ Arrestohet në SHBA pas gati 30 vitesh shqiptari
Një çështje e rëndë kriminale, e mbetur për dekada pa një përfundim, ka marrë një zhvillim të ri pas arrestimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të Sokol Hoxhës, shqiptarit të kërkuar prej vitesh nga autoritetet shqiptare dhe belge për disa krime të rënda të ndodhura në vitin 1997.
Sokol Hoxha akuzohet për vrasjen e dy vëllezërve Banaj në Patos, në mars të vitit 1997, si dhe për vrasjen e një gruaje shqiptare në Belgjikë në gusht të po atij viti. Për çështjen në Shqipëri, ai rezulton i dënuar me 25 vite burgim nga gjykatat shqiptare, ndërsa autoritetet belge gjithashtu e kërkojnë për të vuajtur dënimin lidhur me ngjarjen kriminale të ndodhur në Bruksel.
Sipas të dhënave hetimore, pas ngjarjes së dyfishtë në Shqipëri, Hoxha u largua nga vendi, duke u fshehur fillimisht në Greqi dhe më pas duke u zhvendosur në Belgjikë. Hetimet ndër vite kanë ngritur dyshime se aktiviteti i tij kryesor në Belgjikë lidhej me rrjete prostitucioni, dhe se edhe ngjarja kriminale e ndodhur atje kishte lidhje me këtë aktivitet të paligjshëm.

Dyshohet se ai kishte krijuar një martesë fiktive me Brunilda Dervishin, të cilën më pas e shfrytëzonte për prostitucion. Sipas hetimeve, konflikti mes tyre agravoi kur viktima kundërshtoi këtë situatë, çka dyshohet se çoi në vrasjen e saj në një lokal në Bruksel.
Pas kësaj ngjarjeje, hetimet tregojnë se Hoxha u largua drejt Mbretërisë së Bashkuar duke përdorur dokumente të falsifikuara kosovare, një praktikë që në atë periudhë është raportuar se është përdorur nga persona të ndryshëm për të përfituar status qëndrimi për shkak të konfliktit në Kosovë. Përmes këtyre dokumenteve ai dyshohet se siguroi qëndrim në Britani.
Megjithatë, frika se identiteti i tij i vërtetë mund të zbulohej nuk u zhduk. Për këtë arsye, ai dyshohet se vendosi të largohej më tej, drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në fillim të viteve 2000, ku nisi një jetë të re me identitet tjetër.
Pavarësisht arratisjes, hetimet ndërkombëtare nuk u ndërprenë. Pas më shumë se dy dekadash, autoritetet shqiptare morën informacione se i kërkuari mund të ndodhej në SHBA. Në këtë proces u angazhuan disa agjenci ligjzbatuese ndërkombëtare, përfshirë ato amerikane, belge, britanike, shqiptare dhe kosovare, për shkëmbimin e informacionit dhe verifikimin e gjurmëve të tij.
Në vitin 2019, Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë paraqiti zyrtarisht një kërkesë ekstradimi drejt SHBA-së. Në të njëjtën periudhë, në Britaninë e Madhe u ndalua një person me të njëjtin emër, por pas verifikimeve të Interpolit rezultoi se nuk ishte personi i kërkuar dhe u lirua.
Hetimet në SHBA morën intensitet të ri në vitin 2021. Verifikimet u fokusuan tek një shtetas shqiptar që kishte hyrë në Amerikë vite më parë me identitet të ndryshuar. Krahasimi i shenjave të gishtërinjve dhe fotografive historike çoi në identifikimin e plotë të tij si Sokol Hoxha.
Sipas informacioneve, ai rezulton i dënuar me 25 vite burgim në Shqipëri, ndërsa në Belgjikë përballet me dënim të rëndë për çështjen kriminale atje.
Më 5 maj, në shtetin e Ohajos, autoritetet amerikane arrestuan të shumëkërkuarin, duke i dhënë fund një kërkimi që kishte zgjatur pothuajse tre dekada. Tashmë pritet që të vendoset mbi procedurat e mëtejshme për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë ose Belgjikës, ku do të përballet me drejtësinë.