Politike
Ilir Kulla: Bilanci i protestave është i tmerrshëm, nëse vazhdohet me këtë ritëm rrezikojmë luftë civile
Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla, gjatë një interviste ka bërë një analizë të situatës së krijuar nga protestat, duke paralajmëruar për pasojat që mund të sjellë vijimi i tensioneve.
Kulla e cilësoi bilancin e ditëve të para si tepër negativ, ndërsa theksoi se situata ka tërhequr edhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Sipas tij, dëmet në infrastrukturë, objektet e djegura dhe klima e konfliktit kanë krijuar një atmosferë pasigurie dhe paniku.
Ai paralajmëroi se, nëse protestat dhe përplasjet vazhdojnë me të njëjtin intensitet për disa muaj, vendi mund të përballet me një situatë të ngjashme me luftën civile.
Eksperti kritikoi gjithashtu mënyrën se si autoritetet e menaxhuan protestën fillestare, duke argumentuar se përdorimi i Forcave Speciale ndikoi në zgjerimin e saj, në vend që të sillte qetësimin e situatës.
Pjesë nga intervista:
Pyetje: Një analizë të shkurtër mbi bilancin e nëntë ditëve.
Ilir Kulla: Është i tmerrshëm.
Pyetje: Si?
Ilir Kulla: I tmerrshëm është. Praktikisht, përveç efektit mediatik që të gjitha mediat e botës më kanë marrë, deri nga Indonezia më kanë marrë për të pyetur çfarë ndodh e të tjera. Rrugët e tjera anash janë të gjitha pa semaforë, objektet e djegura janë boshatisur e të tjera dhe duket sikur ka një klimë konflikti dhe paniku, e cila vazhdon. Kështu që është i tmerrshëm.
Pyetje: Vetëm është i tmerrshëm, kaq. Ok, atëherë do të bëj pyetje të tjera që…
Ilir Kulla: Domethënë, bilanci nuk është aspak pozitiv dhe aspak premtues, sepse nëse do të jetë ky ritëm i këtyre nëntë ditëve të para, dhjetë ditëve, sepse në fakt jemi në ditën e dhjetë, imagjino të jetë kështu për disa muaj me radhë, ne jemi praktikisht në luftë civile.
Tani, në qoftë se ju mendoni që unë do të them se s’është i tmerrshëm, s’është i tmerrshëm. Sigurisht që ka pasur mundësi që kjo gjë të evitohej. Kanë pasur mundësi që kryeministri ato karriget që ka vënë sot, t’i vinte që në fillim të majit atje, në fillim të qershorit atje te sheshi.
Por pasi u tallën, u nëpërkëmbën, u thanë jo fillojnë pushimet, jo Botërori, jo janë 5, jo janë 7, jo janë 12 e të tjera, vendosën t’i përgjigjen një proteste relativisht të vogël para 10 ditësh te Ministria e Arsimit me Forcat Speciale.
Dhe Forcat Speciale e bënë punën e tyre, por efekti i Forcave Speciale dhe i policisë më tej ishte që, në vend që ta shuanin dhe ta pakësonin apo t’i jepnin fund protestës, e bënë që protesta të zgjerohej, të zgjerohej në gjithë Shqipërinë dhe për më tepër imazhi i saj të jetë jo vetëm që është një protestë e madhe.