Connect with us

Shkrime

Imperializmi i zi/ Lufta SHBA-Iran: Beteja për Mbijetesën e Petrodollarit

Nga Rexhail Ramadani
Sot, lufta mes SHBA-së dhe Iranit zhvillohet kryesisht për mbijetesën e sistemit të Petrodollarit. Ky sistem e ka zanafillën në “Tronditjen e Niksonit” të vitit 1971, kur dollari u shkëput nga ari (sistemi i Bretton Woods i krijuar nga Ruzvelti) dhe u lidh me naftën. Kalimi nga këmbimi fiks në atë fluktuativ i dha një fuqi të pakufizuar kartelit bankar privat, duke vendosur gjenezën e modelit imperial të Pax Americana, si trashëgimtare e Pax Britannica.
Mekanizmi i Borxhit dhe Kontrolli Energjetik
Në këtë sistem, karteli financiar e prodhon dollarin si borxh. Meqenëse dollari është monedhë private, vetë qeveria amerikane e merr atë si hua. Lidhja e dollarit me naftën detyron shtetet prodhuese t’i nënshtrohen diktatit të Uashingtonit: shitja e naftës duhet të bëhet vetëm me dollarë. Kjo krijon një kërkesë artificiale globale, duke e bërë jetik kontrollin e nyjeve energjetike dhe rrugëve detare nga ana e SHBA-së.
Roli i FMN-së dhe Bankës Botërore
Në këtë mozaik, FMN-ja dhe Banka Botërore luajnë rolin e “shpëtimtarit” për shtetet që përballen me mungesë likuiditeti. Mirëpo, kreditë e tyre kushtëzohen me “reforma strukturore” dhe liberalizim ekstrem. Këto kushte synojnë privatizimin dhe shitjen e aseteve strategjike kombëtare te korporatat transacionale.
Manipulimi i Bursave dhe “Thithja e Gjakut” Ekonomik
Meqenëse dollari është monedhë rezervë, çmimet nuk caktohen nga ligji i kërkesës dhe ofertës, por nga manipulimi i bursave. Bankierët prodhojnë instrumente komplekse financiare (derivate) për të imponuar injektim sa më të madh të dollarit në sistem. Kur Rezerva Federale (FED) lëviz normat e interesit, ajo rivlerëson dollarin dhe zhvlerëson valuta nacionale. Përmes këtyre sulmeve spekulative, “thithet gjaku” i ekonomive nacionale, të cilat futen në një cikël borxhesh të papagueshme
Imperializmi i Zi: BlackRock dhe Vanguard
Ky imperializëm financiar diktohet nga një pakicë që operon përmes korporatave si BlackRock dhe Vanguard, të cilat kontrollojnë një kapital prej rreth 25 trilionë dollarësh — sa GDP-ja e SHBA-së dhe Kinës së bashku. Sot, nevoja për digjitalizim monetar dhe një “RESET” global vjen sepse matematika financiare ka prodhuar numra pa asnjë mbulim në ekonominë reale. Fokusi i ri është kontrolli digjital i konsumit të qytetarit për të reduktuar kërkesën për burime reale.
Fronti i BRICS dhe Roli i Iranit
Ky model po sfidohet hapur nga blloku BRICS. Kina, përmes industrializimit, dhe Rusia nuk pranuan më nënshtrimin. Në këtë front, Irani shërben si mburojë; ai u sanksionua pikërisht sepse refuzoi t’ia dorëzonte pasurinë e tij energjetike diktatit të dollarit.
Përfundimi: Hiperinflacioni dhe Implodimi
Mbijetesa e Petrodollarit përcakton fatin e imperializmit financiar. Nëse SHBA-ja humbet këtë luftë gjeopolitike, procesi i de-dollarizimit do ta lërë monedhën amerikane pa mbeshtetje fizike. Rënia e kërkesës globale do të bënte që sasia e pafundme e dollarëve të mbytë tregun amerikan, duke shkaktuar hiperinflacion dhe implodim të sistemit nga brenda. Kjo do të shënonte fundin e epokës së pasurisë spekulative dhe kalimin drejt një rendi të ri të bazuar në komoditete reale dhe ar, ashtu siç po veprojnë aktualisht shtetet e BRICS.
Advertisement