Connect with us

Sport

Infantino: Botërori 2026, ngjarja më e jashtëzakonshme në historinë e njerëzimit

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka bërë një deklaratë shumë të bujshme pak para finales së madhe të Botërorit 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës, duke e cilësuar turneun e zhvilluar në SHBA, Kanada dhe Meksikë si një ngjarje të paprecedentë në historinë e sportit.

Infantino u shpreh se madhështia e këtij edicioni ka tejkaluar edhe pritshmëritë e tij, duke përdorur fjalë superlative për atmosferën, organizimin dhe ndikimin global të Kupës së Botës.

“Kjo finale është një dhuratë nga perënditë e futbollit. E imagjinoja se do të ishte një event madhështor, por jo në këtë përmasë. Jo me këtë atmosferë, këtë festë dhe këtë energji”, deklaroi kreu i FIFA-s.

Më tej, Infantino shkoi edhe më larg, duke e cilësuar Botërorin e parë me formatin me 48 skuadra si një nga ngjarjet më të mëdha që ka përjetuar bota.

“Ky Botëror në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara ka qenë ngjarja më e jashtëzakonshme në historinë e njerëzimit. Jo vetëm Botërori më i madh, por ngjarja më e madhe sportive, sociale dhe kulturore që njerëzimi ka përjetuar ndonjëherë. Mendoj se do të na duhet të shpikim fjalë të reja për ta përshkruar”, shtoi Infantino.

Deklaratat e presidentit të FIFA-s vijnë në prag të finales së shumëpritur në “MetLife Stadium” në New Jersey, ku Spanja dhe Argjentina do të përballen për trofeun më të rëndësishëm të futbollit botëror.

Advertisement