✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Institucionet në flakë/ Begaj thirrje studentëve: Zyra ime është e hapur…

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar pas përshkallëzimit të tensioneve gjatë protestës studentore në Tiranë, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të tregojnë përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje.

Përmes një reagimi në Facebook, kreu i shtetit ka theksuar se e drejta për protestë paqësore është një nga themelet e demokracisë dhe se shteti ka detyrimin ta garantojë atë. Në të njëjtën kohë, Begaj ka dënuar përdorimin e dhunës si mjet për të shprehur pakënaqësinë, duke nënvizuar se edhe veprimet e policisë duhet të jenë në përputhje me ligjin dhe parimin e proporcionalitetit.

“Presidenti i Republikës ndjek me shqetësim përshkallëzimin e tensioneve gjatë protestave dhe u bën thirrje të gjitha palëve të veprojnë me përgjegjësi e vetëpërmbajtje. E drejta për protestë paqësore është themel i demokracisë dhe detyrim i shtetit për ta garantuar. Por dhuna nuk mund të jetë mjet i shprehjes së pakënaqësisë, as përdorimi i forcës nga policia nuk duhet të dalë jashtë kufijve të ligjit dhe proporcionalitetit”, thuhet në reagimin e Presidentit.

Begaj ka shtuar se në këtë moment vendi ka nevojë për më shumë përgjegjësi dhe se Kushtetuta dhe ligji duhet të respektohen nga të gjithë, pa përjashtim. Ai ka shprehur gjithashtu gatishmërinë për të dëgjuar shqetësimet e të rinjve dhe qytetarëve, duke theksuar se dera e institucionit të Presidentit do të mbetet e hapur për dialog dhe bashkëpunim.

Reagimi i kreut të shtetit vjen pas një dite të shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe policisë, përdorim të gazit lotsjellës dhe raportime për dëmtime të pronës publike e private. Thirrja e

Presidentit drejtohet si ndaj protestuesve, ashtu edhe ndaj institucioneve, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për të garantuar respektimin e ligjit.

Advertisement