Bota
Inteligjenca amerikane vlerëson se Mojtaba Khamenei luan një rol kritik në strategjinë e luftës së Iranit
Inteligjenca amerikane vlerëson se lideri i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, po luan një rol kyç në drejtimin e strategjisë ushtarake dhe negociatave të Teheranit me SHBA-në.
Sipas raportimeve, Mojtaba Khamenei, djali i liderit të ndjerë suprem Ali Khamenei, po bashkëpunon ngushtë me zyrtarët më të lartë iranianë për menaxhimin e konfliktit dhe bisedimeve diplomatike me Uashingtonin.
Ai nuk është shfaqur publikisht që pas sulmit të rëndë në fillim të luftës, ku mbeti i plagosur dhe ku humbën jetën edhe disa prej komandantëve më të lartë ushtarakë iranianë. Mungesa e tij në publik ka shtuar spekulimet për gjendjen shëndetësore dhe ndikimin real në drejtimin e vendit.
Burime të inteligjencës amerikane thonë se autoriteti brenda regjimit iranian mbetet ende i paqartë, por Mojtaba Khamenei besohet se ka ndikim të madh në vendimmarrje, veçanërisht për negociatat me SHBA-në për t’i dhënë fund luftës.
Ndërkohë, administrata e Donald Trump vazhdon të kërkojë një zgjidhje diplomatike të konfliktit, edhe pse tensionet mes dy vendeve mbeten të larta.
Sipas raportit, inteligjenca amerikane vlerëson se Irani ende ruan kapacitete të rëndësishme ushtarake dhe aftësi për të përballuar për muaj të tërë bllokadën amerikane.
Burimet shtojnë se Mojtaba Khamenei shmang përdorimin e pajisjeve elektronike dhe komunikon vetëm përmes takimeve direkte ose korrierëve, çka e bën të vështirë gjurmimin e vendndodhjes së tij nga shërbimet amerikane.
Nga ana tjetër, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump tha për mediat se është në pritje të një përgjigje nga Irani për propozimin e fundit për arritjen e paqes. Plani që Trump u ka parashtruar iranianëve përmban 14 pika dhe kryesisht flet për angazhimin e Teheranit në një moratorium mbi programin bërthamor, miratimin nga SHBA për heqjen e sanksioneve dhe zhbllokimin e fondeve të ngrira, si edhe hapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Në rast se Irani nuk përgjigjet, Trump do të riaktivizojë operacionin ‘Liria’ për të shoqëruar anijet tregtare përmes kalimit të sigurtë në Ngushticën e Hormuzit.
Ndërkohë tensionet në Hormuz sa vijnë dhe përshkallëzohen. Një zëdhënës ushtarak iranian deklaroi se SHBA kanë sulmuar anije iraniane në Hormuz, duke shkelur armëpushimin. ushtria amerikane njoftoi se një avion luftarak F/A-18 Super Hornet hapi zjarr ndaj dy cisternave iraniane në Gjirin e Omanit, duke goditur oxhaqet e tyre me municione precize për t’i nxjerrë jashtë funksionit.
Sipas Centcom, cisternat po tentonin të hynin në porte iraniane “në shkelje të bllokadës detare amerikane”.
Si pjesë e Operacionit “Tërbimi Ekonomik”, Departamenti i Thesarit i SHBA-së, nëpërmjet Zyrës së Kontrollit të Aseteve të Huaja (OFAC), ka vendosur të sanksionojë 10 individë dhe kompani me seli në juridiksione të ndryshme në Lindjen e Mesme, Azi dhe Evropën Lindore.
Këta individë dhe kompani janë përgjegjës për lehtësimin e përpjekjeve të ushtrisë iraniane për të siguruar armë, si dhe lëndë të para për përdorim në dronët e saj të serisë Shahed dhe programin e raketave balistike të Iranit.