Aktualitet
IRANI NË GJUETI/ Ekzekutimet: 901 persona dënohen me vdekje në vetëm shtatë muaj
Teherani përballet me kritika të reja ndërkombëtare për përdorimin e dënimit me vdekje. Të paktën 901 persona janë ekzekutuar në Iran gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2026.
Shifrat publikohen nga Qendra Abdorrahman Boroumand për të Drejtat e Njeriut në Iran, me seli në Uashington, e cila ka dokumentuar ekzekutimet e kryera nga janari deri në korrik.
Sipas raportit, një pjesë e ekzekutimeve lidhen me çështje politike dhe akuza për sigurinë kombëtare.
56 persona janë ekzekutuar në raste të kësaj natyre. Prej tyre, 29 lidhen me protesta, 13 me akuza për spiunazh, ndërsa 14 persona janë dënuar për vepra që autoritetet iraniane i konsiderojnë kërcënim ndaj sigurisë kombëtare.
Por kategoria më e madhe e ekzekutimeve lidhet me drogën.
Të paktën 268 persona janë ekzekutuar për trafik droge apo vepra të tjera të lidhura me narkotikët.
Raporti ngre shqetësime edhe për ndikimin e dënimit me vdekje tek pakicat etnike.
Në shtatë muaj janë dokumentuar 98 ekzekutime të pjesëtarëve të pakicave, përfshirë 40 balukë, 29 kurdë, 21 afganë, gjashtë arabë, një turk dhe një turkman.
Mes viktimave janë edhe 16 gra.
Raporti dokumenton gjithashtu dy persona që ishin nën moshën 18-vjeçare në kohën kur dyshohet se kanë kryer veprat, ndërsa pesë ekzekutime janë kryer publikisht.
Shifrat e publikuara rikthejnë në qendër të vëmendjes politikën e Teheranit për përdorimin e dënimit me vdekje, veçanërisht në rastet që lidhen me protestat, akuzat politike, sigurinë kombëtare dhe pakicat etnike.
901 ekzekutime në vetëm shtatë muaj e vendosin sërish Iranin përballë një vale të fortë kritikash ndërkombëtare për respektimin e të drejtave të njeriut.