Bota
Irani refuzon negociatat dhe përgatitet për një pushtim të mundshëm tokësor
Irani nuk ka kërkuar dhe nuk është i interesuar për negociata për armëpushim me Shtetet e Bashkuara, ndërsa vendi po përgatitet për një sulm të mundshëm tokësor nga trupat amerikane – deklaroi ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi,
Araghchi theksoi se Irani nuk ka kërkuar armëpushim gjatë luftës 12-ditore me Izraelin në qershorin e kaluar dhe ishte Izraeli ai që kishte kërkuar një pushim të pa kushtëzuar të luftimeve.
“Ne nuk kemi përvojë pozitive nga negociatat me SHBA-të, veçanërisht me këtë administratë”, tha Araghchi, duke shtuar se negociatat bërthamorë të rifilluara në shkurt ishin ndërprerë më pas nga sulmet amerikano-izraelite.
“Ata nuk hyjnë në negociata me sinqeritet dhe nuk ka arsye për ne të angazhohemi sërish me ata”.
Qëndrimi i fortë i Iranit për refuzimin e armëpushimit dhe negociatave vjen në një kohë kur Washingtoni ka paralajmëruar për një intensifikim të operacioneve ushtarake ndaj Teheranit.
“Ne po presim ata”, tha Araghchi për NBC News, duke shtuar se Irani është i sigurt se mund t’i përballojë forcat amerikane, një situatë që sipas tij do të ishte katastrofike për SHBA-të.
Sulmet e përbashkëta të SHBA-ve dhe Izraelit gjatë fundjavës në Iran kanë shkaktuar mbi 1 mijë viktima civile, përfshirë sulme që kanë goditur edhe shkolla.
Në mes të këtyre sulmeve u vranë Ali Khamenei dhe dhjetëra zyrtarë të tjerë iranianë.
Irani ka kryer goditje hakmarrëse në Lindjen e Mesme, duke goditur bazat amerikane dhe zona civile në shtetet e Gjirit, ku kanë humbur jetën disa dhjetëra persona, përfshirë edhe gjashtë ushtarë amerikanë.