Connect with us

Kosova

Iraniani kërkon azil në Kosovë: Ndihem i kërcënuar…

Një shtetas iranian ka kërkuar azil në Kosovë pasi është ndaluar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ku gjatë kontrollit kishte paraqitur një pasaportë belge që, sipas deklarimit të tij, nuk i përkiste.

Gjatë verifikimeve nga autoritetet, shtetasi iranian ka pranuar se dokumenti nuk ishte i tij dhe ka deklaruar se nuk kishte me vete dokumente të tjera identifikuese. Ai ka thënë se ndihej i kërcënuar në Iran.

Drejtori i Qendrës për Azil, Fitim Zariqi, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se shtetasi iranian ka paraqitur zyrtarisht kërkesë për azil dhe se procedura do të shqyrtohet nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Sipas Zariqit, shqyrtimi i kërkesës mund të zgjasë deri në gjashtë muaj, ndërsa në rrethana të caktuara afati mund të zgjatet edhe me tre muaj të tjerë.

Deri tani nuk është bërë e ditur nga cili shtet kishte udhëtuar shtetasi iranian drejt Kosovës. Autoritetet pritet të verifikojnë rrethanat e hyrjes së tij, dokumentin e paraqitur në aeroport dhe arsyet që e kanë shtyrë të kërkojë mbrojtje ndërkombëtare në Kosovë.

Advertisement