Connect with us

Rajon

Ish-ministri serb: Kemi kapitulluar me Kosovën

Ish-ministri serb i Mbrojtjes, Dragan Shutanovaç, tha se Serbia në Kosovë ka një trashëgimi historike dhe qytetarë të kombësisë serbe që duhet t’i mbrojë, por që nga viti 1999 nuk ka pasur integritet dhe sovranitet territorial atje.

“Në vitin 1999 në Kumanovë ne praktikisht nënshkruam kapitullimin, me të cilin humbëm integritetin dhe sovranitetin tonë territorial në Kosovë. Me tërheqjen e ushtrisë dhe policisë, ne e humbëm atë”, tha, ish-lideri i Partisë Demokratike

Siç raportojnë mediat serbe, Shutanovaç ka deklaruar se Serbia në atë luftë ka humbur një pjesë të territorit të saj dhe se prej atëherë nuk e ka më kontrollin.

“Thuhet se nëse ne tani e nënshkruajmë marrëveshjen (propozimi franko-gjerman) që nuk kërkon njohjen e Kosovës së pavarur, do të humbasim sovranitetin tonë territorial. Dhe, ku është sovraniteti ynë territorial, nëse patriarku ynë (i Kishës Ortodokse Serbe) nuk mund të shkojë në Kosovë?”, pyeti Shutanovac

Ish ministri gjithashtu vlerësoi se propozimi franko-gjerman duhet të plotësohet dhe të diskutohet për çështje thelbësore, siç janë: statusi i kishave, manastireve e pasurive kulturore dhe historike serbe. Ai theksoi se “është e nevojshme të bindet pala kosovare, para së gjithash kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që të formojnë Asociacionin e komunave serbe, i cili nuk është ideal, por është më i miri që kemi”.

Advertisement