Politike
Ish-zv.ministrja e PS shpërthen kundër Ramës: Kryeministri midis Perandorit dhe Gangsterit
Ish-zëvendësministrja e qeverisë së Partisë Socialiste, Irena Beqiraj, ka lëshuar një lumë akuzash të rënda në adresë të kryeministrit Edi Rama, duke analizuar librin “The Albanian Files”.
Përmes një analize të mprehtë, Beqiraj e zhvesh këtë libër nga petku i “suksesit”, duke e cilësuar si një dëshmi të një qasjeje prej “Perandori Romak”. Sipas saj, arkitektura po përdoret nga Rama si një mjet estetik për të fshehur mungesën e zhvillimit real dhe për të mbajtur status quo-në, ndërsa investitorët që jetësojnë këtë vizion përzgjidhen pa garë dhe mes tyre nuk mungojnë pastruesit e parave të pista të drogës, fakt ky i zbuluar edhe nga dosjet e SPAK.
Beqiraj bën një paralele historike me perandorët romakë dhe monarkët autokratikë, duke kujtuar fjalët e fundit të Neronit: “Çfarë artisti po humbet bota me mua”. Sipas saj, prirja e Ramës për shkëlqim perandorak nuk e bën atë një perandor, por një administrator të përkohshëm që ka harruar se për kë shërben.
“Albanian Files, libri që Kryeministri Rama tundi përpara gazetares së CNN-it si provë e zhvillimit, është një përmbledhje e rrëfimeve të arkitektëve më të mirë të botës të zgjedhur pa garë nga Kryeministri. Të paguar sa kanë kërkuar nga investitorë të cilët po ashtu kanë përfituar tokë publike, lehtësi administrative dhe fiskale pa garë po sërish nga Kryeministri… Ai libër nuk është gjë tjetër veçse celebrimi i pushtetit të supozuar të një njeriu, më shumë sesa tregues i zhvillimit të vendit.
Ndërkohë, sipas hetimeve dhe dosjeve të publikuara të SPAK, del se tek investitorët që Kryeministri zgjidhte për të jetësuar vizionin e tij nuk mungonin pastruesit e parave të pista të drogës. Ky fluks parash ka rritur ofertën monetare 2.5 herë më shpejt se rritja ekonomike, duke krijuar një ndjenjë të rreme stabiliteti përmes rritjes së çmimeve të ndërtesave në vend të ekonomisë reale”, u shpreh ajo.
Në mbyllje të reagimit të saj që ka ngritur peshë rrjetin, ish-zyrtarja e lartë, nuk i kursen epitete tejet të rënda për kreun e ekzekutivit, duke e cilësuar atë jashtë kornizave të një udhëheqësi apo patrioti.
“Kryeministri ynë i zhurmshëm, impulsiv, i pamatur… vështirë se meriton titullin politikan, patriot, apo edhe udhëheqës. Ai është një gangster që luan shpëtimtarin, i cili ka vendosur të jetësojë emrin e tij metë godinat e larta të ndërtuara me paratë e drogës, (për disa edhe të bukura) por me dëme të parikuperueshme ekonomike edhe psikologjike për shoqërinë tonë”, tha Beqiraj.