✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

“Isha gati për vdekje”/ 17-vjeçari tregon momentin kur u plagos me plumb gome në qafë

Një 17-vjeçar ka rrëfyer për News24 momentin kur u plagos me plumb gome në qafë gjatë përplasjeve mes protestuesve dhe forcave të policisë në Tiranë.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë me gazetarin Klevin Muka, adoleshenti tregoi se ndodhej në rreshtat e parë të protestës, ku po u bënte thirrje qytetarëve për bashkim, kur u qëllua nga një distancë e afërt.

“Isha në rresht të parë, po bërtisja për bashkim. Po na ndanin me gaz lotsjellës dhe po na përçanin. Unë po bërtisja dhe më goditën me plumb gome në afërsi jo të largët. Nuk e dallova shumë mirë, u trullosa në ato momente. Më ndihmuan motrat dhe vëllezërit në protestë, isha gati për vdekje”, rrëfeu 17-vjeçari.

I riu tha se në momentet pas goditjes ishte ndier i trullosur dhe se kishte marrë ndihmën e protestuesve të tjerë që ndodheshin pranë tij.

Gjatë prononcimit, adoleshenti shprehu gjithashtu revoltën ndaj veprimeve të policisë, duke e lidhur reagimin e tij me tensionet e krijuara gjatë protestës.

“Këta nuk janë policë, këta janë kundër popullit! Nuk ka plumba gome që na vrasin neve. Rama, të erdhi fundi, nuk ke ku shkon!”, u shpreh ai gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë.

Dëshmia vjen në një moment tensionesh të larta në kryeqytet, ku protestat janë shoqëruar me përplasje mes qytetarëve dhe forcave të rendit. Raportimet për protestues të lënduar dhe përdorimin e mjeteve të forcës nga policia kanë shtuar shqetësimet për sigurinë e pjesëmarrësve, veçanërisht të të rinjve.

Rrethanat e plota të plagosjes së 17-vjeçarit dhe përgjegjësia për incidentin mbeten për t’u verifikuar nga autoritetet përkatëse.

Advertisement