Kronike
Ishin në koncertin e Cllevios/ 15-vjeçari përcillet sot në banesën e fundit
Familja Muhaxhiri në Sukth të Durrësit ka hapur dyert e mortit për 15-vjeçarin Alvi Muhaxhiri, i cili humbi jetën në aksidentin tragjik të ndodhur në orët e para të mëngjesit në Manzë.
I mituri pritet të përcillet pasditen e kësaj të mërkure për në banesën e fundit, ndërsa familjarë, të afërm dhe banorë të zonës janë mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit.
Alvi ishte një prej pesë të rinjve që udhëtonin me një automjet tip BMW, i cili rreth orës 02:22 ka dalë nga rruga në një segment dytësor në Manzë dhe është përplasur me forcë me një strukturë betoni. Përplasja ka qenë e rëndë dhe automjeti është rrokullisur disa herë.
Nga aksidenti humbën jetën gjithashtu çifti i sapomartuar, Kleo Vrioni dhe Sara Brugentelli. Ndërkohë, 26-vjeçari Rejsi Vrioni dhe 16-vjeçari Klevis Dervishi ndodhen në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku vijojnë të marrin trajtim mjekësor.
Sipas të dhënave të raportuara, pesë të rinjtë po ktheheshin nga një lokal nate në Gjirin e Lalzit, ku kishin qenë për të ndjekur një koncert të reperit Cllevio. Artisti kishte performuar mbrëmjen e së martës në një prej lokaleve të natës në këtë zonë.
Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit tragjik që i mori jetën tre të rinjve.