Kronike
Ishte në “arrest shtëpie” për vjedhje/ I riu grabit 8 biznese brenda një jave
Një 20-vjeçar, i cili ndodhej nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për vjedhje, është arrestuar nga Policia e Tiranës pasi dyshohet se ka shkelur masën dhe ka kryer tetë vjedhje në subjekte të ndryshme brenda vetëm një jave.
Operacioni i koduar “Multiple” u finalizua pas hetimeve të nisura mbi bazën e kallëzimeve të disa qytetarëve për vjedhje në subjekte që kishin në pronësi ose administrim.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me komisariatet në zonat ku ishin kryer vjedhjet, zbardhën tetë raste dhe identifikuan si autor të dyshuar shtetasin O. H., 20 vjeç.
Sipas policisë, gjatë periudhës 5–13 gusht 2026, i riu dyshohet se ka vjedhur para dhe produkte në tetë subjekte të ndryshme në Tiranë.
Gjatë verifikimeve të mëtejshme, efektivët zbuluan se 20-vjeçari ishte tashmë nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, e caktuar pikërisht për një veprimtari të ngjashme kriminale.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse 20-vjeçari është përgjegjës edhe për raste të tjera vjedhjesh të regjistruara në Tiranë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.