Bota
Italia në alarm të kuq nga i nxehti, të 27 qytetet kryesore nën gatishmëri maksimale
Italia po përballet me valën e katërt të të nxehtit këtë verë, ndërsa të 27 qytetet kryesore të vendit janë vendosur për herë të parë këtë vit në alarm të kuq për shkak të temperaturave ekstreme.
Sipas autoriteteve italiane, alarmi i kuq nënkupton rrezik të lartë për shëndetin e të gjithë popullsisë si pasojë e temperaturave të larta dhe të zgjatura. Fillimisht në gatishmëri ishin 25 qytete, ndërsa nga e enjtja lista është zgjeruar duke përfshirë të gjitha qytetet e monitoruara nga sistemi kombëtar i mbikëqyrjes së nxehtësisë.
Temperaturat në disa zona të vendit kanë arritur pranë 40 gradë Celsius, ndërsa Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin në diell nga ora 11:00 deri në 18:00, të konsumojnë të paktën 1.5 litra ujë në ditë, të shmangin alkoolin, kafenë dhe pijet e gazuara, si edhe të mos lënë kurrë fëmijë apo kafshë brenda automjeteve.
Vala e të nxehtit është lidhur me të paktën katër viktima në ditët e fundit, mes tyre një 19-vjeçar dhe një 40-vjeçar që punonin në Lombardi, si dhe një roje sigurie në Bolonjë që dyshohet se humbi jetën si pasojë e temperaturave të larta.
Përveç rrezikut për shëndetin, nxehtësia ka përkeqësuar edhe thatësirën në luginën e lumit Po. Mbi 100 qytete në rajonet e Piemontes dhe Lombardisë po përballen me mungesë uji, ndërsa në disa zona furnizimi po realizohet me kamionë cisternë. Shkencëtarët paralajmërojnë se temperaturat ekstreme, të lidhura me ndryshimet klimatike, pritet të vazhdojnë të paktën edhe për një javë.