Aktualitet
Iu sekuestrua nga SPAK, “Monopoli” i Aurel Hoxhës jepet me qera, duke filluar nga 4 mijë euro në muaj…
Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara ka nxjerrë me qera, lokalin “Monopol” që ndodhet në zonën e “Myslym Shyrit”, i cili është në pronësi të shtetasit të shpallur në kërkim, Aurelinjo Kalaveri alias Aurel Hoxha, i akuzuar për vrasje.
Siç njofton agjencia, bëhet fjalë për një lokal me sipërfaqe 388.75 m², ndodhur në katin e parë te rruga “Myslym Shyri”, një nga zonat më të preferuara të Tiranës, i cili është në administrim shtetëror dhe del për qira për një shumë që fillon nga 380,000 Lekë/muaj, rreth 4 mijë euro.
Dy javë më parë, SPAK njoftoi sekuestrimin e pronave të Aurel Hoxhës, të cilat përllogariteshin me një vlerë rreth 5 milionë euro. Masa e sekuestros preventive u vendos për 3 subjekte tregtare, 7 apartamente, 6 njësi tregtare, 32 autovetura, mes të cilave një Lamborghini Urus dhe një Rolls Royce Cullinan dhe 52 llogari bankare, në pronësi të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të Aurel Hoxhës dhe të tjerëve.
Aurel Hoxha akuzohet nga Prokuroria e Posaçme se ka porositur vrasjen e Klevis Lleshit kundrejt pagesës prej 50 mijë eurosh në shenjë hakmarrje për vëllain Agim Hoxha në Angli.
Për vrasjen e Klevis Lleshit, Aurel Hoxha, i cili merrej me trafik droge dhe ishte pronar i lokalit luksoz Monopol në Tiranë, dyshohet se ka paguar Sabah Nuzi, i identifikuar nga hetimet si personi që ka realizuar vrasjen me pagesë.
Klevis Lleshi është kushëriri, djali i xhaxhai i Arben Lleshit, i cili në vitin 2012 vrau dhe dogji Angli Agim Hoxha. Arben Lleshi u dënua me burgim të përjetshëm për krimin e rëndë.
Arben Lleshi u vra në vitin 2023 në burg nga i dënuari me burg përjetë, Sokol Mjacaj. Vrasja dyshohet se ishte me pagesë.